Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka kritikuar institucionet e Kosovës për, mungesën e masave parandaluese ndaj aksidenteve në komunikacion, veçanërisht atyre me fatalitet.
Në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, Dedaj tha se trendi i aksidenteve po vazhdon ndër vite, ndërsa institucionet, sipas tij, nuk po merren sa duhet me shkaqet.
“Statistika e aksidenteve ndër vite, sidomos gjatë tre muajve të verës, na tregon se fare nuk po merren me masat preventive dhe me hulumtimin e faktorëve që ndikojnë drejtpërdrejt”, tha Dedaj.
Ai kritikoi edhe bazën ligjore për sigurinë rrugore.
“Ne nuk kemi ligj të sigurisë rrugore. Në vitin 2016 është shfuqizuar ky ligj dhe janë krijuar tri ligje të tjera, të cilat janë në konflikt mes vete”, deklaroi ai.
Sipas Dedajt, Kosova nuk ka as një strategji të mirëfilltë për sigurinë në komunikacion.
Dedaj theksoi se nevojitet krijimi i institucioneve të specializuara që do të merreshin me hulumtimin e aksidenteve dhe masat parandaluese.


