Skuadra e Vushtrrisë është denuar me 2 ndeshje pa tifozë dhe 2 mijë euro, shkak i sjelljeve të tifozëve “Forca” në duelin e xhiros së fundit ndaj FC Dritës në Superligën e Kosovës në futboll.
Komisioni Disiplinor i FFK-së ka njoftuar se këto denime, FC Vushtrria i ka marrë, shkak i sjelljeve josportive të tifozëve.
Poashtu edhe klubi i Dritës është denuar me 1 mijë euro, shkak i hedhjes së mjeteve piroteknike në fushën e stadiumit në Hajvali.
Ja njoftimi i FFK-së:
VENDIME:
“KF “Vushtrri”. Lëshim në organizimin e ndeshjes. Në min. 13, me ardhjen e tifozërisë mysafire në tribunë, që u vendosën pas portës, fillojnë sharjet dhe ofendimet reciproke mes tifozëve, tentojnë të përfshihen në përleshje mes veti duke gjuajtur mjete të forta, mirëpo ndërhyn policia dhe i largon me forcë tifozët e KF “Vushtrria”. Për këtë arsye, ndeshja ndërpritet për rreth 13 minuta.
Në min. 81, pas ndëshkimit të lojtarit vendas me karton të kuq (pas dy të verdhëve), tifozët vendas hedhin shishe PVC të mbushura me ujë në drejtim të gjyqtarit kryesor.
Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët vendas hyjnë në fushë duke shkaktuar dëmtime në infrastrukturën e fushës sintetike të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, dëmtime të mëdha në rrethojën e fushës sintetike, si dhe në rrethojën e perimetrit të Kampit Nacional. Po ashtu, konfrontohen edhe me policinë, gjë që ka çuar edhe në arrestimin e tre prej tyre. Sipas raporteve të personave zyrtarë, fotove të siguruara dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Vushtrria-Drita.
I. Bazuar në nenin 18, paragrafi 1 dhe nenin 36, paragrafi 1, pika A të Rregullores disiplinore: dënohet me 2 (dy) ndeshje të radhës pa praninë e shikuesve.
II. Bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C, si dhe nenin 18, paragrafi 2, pikat B dhe C të Rregullores disiplinore: dënohet me gjobë prej 2500 euro. Afati i pagesës është 15 ditë nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.
III. Obligohet KF “Vushtrria” që dëmin e shkaktuar ta paguajë në afatin prej 15 ditëve.
FC “Drita”. Në hyrjen e tifozëve mysafirë në tribunë filluan sharjet dhe ofendimet reciproke dhe tentuan të përleshen me tifozërinë vendase, me ç’rast ndërhyn policia dhe qetëson situatën.
Në min. 14 dhe 49, tifozët mysafirë hedhin mjete piroteknike në fushën e lojës dhe, si pasojë, janë dëmtuar sipërfaqet e fushës në disa vende. Sipas raportit të personave zyrtarë, fotove të siguruara dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Vushtrria-Drita. Bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C, si dhe nenin 18, paragrafi 2, pikat B dhe C të Rregullores disiplinore: dënohet me gjobë prej 1000 euro. Afati i pagesës është 15 ditë nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm”, shkruhet në njoftim.
/GazetaBlic Sport


