Përshkallëzohet konflikti në Ngushticën e Hormuzit, Irani hakmerret duke sulmuar disa anije pas operacionit të SHBA Komisioni Europian ka gjobitur Google me 890 milionë euro për shkelje të Aktit të Tregjeve Digjitale. Sipas Brukselit, kompania favorizoi shërbimet e veta në motorin e kërkimit dhe vendosi kufizime të padrejta për zhvilluesit e aplikacioneve në Google Play.
Komisioni Europian ka konstatuar se Google ka shkelur Aktin e Tregjeve Digjitale (DMA) në dy raste dhe i ka vendosur kompanisë gjoba që arrijnë në 890 milionë euro. Gjoba e parë, prej 460 milionë eurosh, lidhet me mënyrën se si Google favorizon shërbimet e veta në rezultatet e kërkimit, si Google Shopping, hotelet, transporti dhe rezultatet sportive, duke u dhënë atyre më shumë dukshmëri sesa platformat konkurruese. Sipas Komisionit, kjo praktikë dëmton konkurrencën, pasi shërbimet e palëve të treta nuk trajtohen në mënyrë të barabartë në renditjen e rezultateve.
Gjoba e dytë, prej 430 milionë eurosh, ka të bëjë me rregullat e Google Play. Brukseli vlerëson se Google i ka penguar zhvilluesit e aplikacioneve të informojnë përdoruesit për oferta më të lira jashtë platformës Google Play ose t’i drejtojnë ata drejt faqeve të tyre apo dyqaneve alternative të aplikacioneve.
Komisioni Europian i ka kërkuar Google të ndalojë këto praktika dhe të zbatojë ndryshimet e nevojshme brenda 60 ditëve. Në të kundërt, kompania rrezikon gjoba shtesë periodike deri në 5% të xhiros së saj globale ditore.
Brukseli bëri të ditur se Google ka nisur testimin e disa ndryshimeve në mënyrën e paraqitjes së rezultateve të kërkimit dhe reklamave, si edhe në rregullat e Google Play, por këto masa do të vlerësohen nëse janë të mjaftueshme për të respektuar ligjin.
Top Channel