Dy të dërguarit e ShBA-ve, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, janë në pritje të zhvillimeve të "takime po aq produktive" në Ukrainë, pas bisedimeve të suksesshme me Vladimir Putin në Moskë për t'i dhënë fund luftës. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Steve Witkoff dhe Jared Kushner zbarkojnë sot në Kiev. Deri më tani akoma nuk ka detaje nga takimi i tyre, megjithatë raportohet se fokusi i tyre mbetet te përpjekjet për t’i dhënë fund luftës 4-vjeçare Rusi-Ukrainë.
Putin dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet në kryeqytetet e njëri-tjetrit për tre ditë. Teksa Witkoff dhe Kushner po negocionin në Kremlin, Zelensky nga ana tjetër u shpreh i gatshëm për një bisedë thelbësore.
Mediat e huaja raportojnë se bisedimet e zhvilluara ditën e shtunë në Moskë zgjatën tre orë dhe u zhvilluan me dyer të mbyllura në rezidencën zyrtare të Putinit në zemër të kryeqytetit rus. Detajet e takimit vijojnë të dalin në pah, ndërsa deri më tani të dyja palët kanë dhënë komente pozitive.
Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, i përshkroi bisedimet si "konstruktive dhe jashtëzakonisht të sinqerta".
"Bisedimet nuk u kufizuan vetëm në një shkëmbim pikëpamjesh mbi zgjidhjen e krizës ukrainase - çështjet ekonomike dhe projektet e mundshme të mëdha dhe të dobishme reciprokisht ruso-amerikane u diskutuan në detaje të konsiderueshme", tha ai.
Ushakov gjithashtu shtoi se u vunë re përparimet e prekshme të ushtrisë ruse në zonën e luftimeve dhe se u pranua se bisedimet ishin të nevojshme për të adresuar shkaqet rrënjësore të konfliktit.
Pavarësisht përshkallëzimit të sulmeve me raketa dhe dronë rusë në qytetet ukrainase, përfshirë Kievin, forcat tokësore ruse kanë bërë përparime shumë të ngadalta gjatë pjesës më të madhe të konfliktit, duke pësuar viktima të mëdha. Rusia ende kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas- zona të cilat i ka sulmuar që në shkurtin e 2022.
Ukraina thotë se ka pasur vështirësi në zmbrapsjen e sulmeve me raketa balistike për shkak të mungesës së raketave interceptuese, ndërsa Kievi i ka përqendruar sulmet e tij në objektivat e infrastrukturës ekonomike ruse, veçanërisht në instalimet e naftës. Megjithatë takimet diplomatike që janë zhvilluar e pritet të zhvillohen me të dërguarit e Trump, mundet që të japin shenja për paqe pas një periudhë të vështirë 4-vjeçare.
