Saksoni-Anhalt: Partitë e vogla në rolin e “mbretbërësit”?

Evropë

Saksoni-Anhalt: Partitë e vogla në rolin e “mbretbërësit”?

Më: 6 shtator 2026 Në ora: 08:47
Parlamenti i landit në Magdeburg në ndërtesën baroke

Rrallëherë një zgjedhje landi në Gjermani ka tërhequr kaq shumë vëmendje mediatike disa muaj përpara mbajtjes së saj sazgjedhjet në Saksoni-Anhalt. Arsyeja është se më 6 shtator 2026, 1.7 milionë qytetarë me të drejtë vote në këtë land, që ndodhet në perëndim të Berlinit, do të vendosin nëse Alternativa për Gjermaninë (AfD) do të mund të nxjerrë për herë të parë një kryeministër të një landi.

Ulrich Siegmund, kryeministër i një partie të ekstremit të djathtë?

Kjo do të ishte historike për Gjermaninë edhe për një arsye tjetër: deri më sot, as në nivel federal dhe as në nivel të landeve nuk ka pasur ndonjë kryetar qeverie që i përket një partie të klasifikuar zyrtarisht si ekstremiste e djathtë. Por kjo do të vlente për kandidatin kryesor të AfD-së, Ulrich Siegmund, nse ai do të zgjidhej. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nëSaksoni-Anhalt e ka klasifikuar AfD-në si organizatë të ekstremit të djathtë që në vitin 2023.

Siegmund ka gjasa të mira për një triumf historik, pasi AfD-ja kryeson prej muajsh në sondazhe me të paktën 40 për qind të mbështetjes dhe pa rivalë të afërt. Madje, partia ka mundësi reale të sigurojë shumicën absolute të vendeve në parlament, çka do t'i mundësonte të qeveriste e vetme. Nëse ky skenar do të bëhet realitet, varet edhe nga rezultati që do të arrijnë partitë e tjera në zgjedhje.

Disa parti mund të mos e kalojnë pragun prej pesë për qind

Përveç AfD-së, vetëm dy parti mund të llogarisin me siguri se do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm të landit: Unioni Kristian-Demokrat (CDU) me kryeministrin aktual Sven Schulze dhe E Majta. Të gjitha partitë e tjera rrezikojnë të dështojnë kalimin e pragut elektoral prej pesë për qind, i cili zbatohet zakonisht në zgjedhjet federale dhe ato rajonale në Gjermani.

Kjo vlen edhe për socialdemokratët (SPD), të cilët aktualisht qeverisin së bashku me CDU-në dhe që në sondazhe arrijnë maksimumi rreth shtatë për qind. Edhe më të zbehta janë shpresat e partisë së tretë të koalicionit që qeveris Saksoni-Anhaltin që nga viti 2021: Partia Liberale Demokratike (FDP) renditet vetëm me rreth tre për qind. Pas dështimit në zgjedhjet federale të vitit 2025 dhe një sërë humbjesh në zgjedhjet rajonale, FDP-ja duhet të përgatitet për një tjetër goditje politike. Edhe Të Gjelbrit po luftojnë për të siguruar rikthimin e tyre në parlament.

Edha partia e Sahra Wagenknecht e shqetësuar

Pretendime ka edhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW), e themeluar vetëm në vitin 2024, e cila merr pjesë për herë të parë në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt. BSW-ja mban pozicione të majta në politikën ekonomike, por është konservatore e djathtë dhe populiste në çështjet shoqërore.

Pasi në vitin e parë të ekzistencës së saj arriti rezultate mes afro 12 dhe 16 për qind në zgjedhjet e landeve Brandenburg, Saksoni dhe Turingi, partisë së re i munguan vetëm disa mijëra vota për të kaluar pragun prej pesë për qind në zgjedhjet federale të vitit 2025. BSW-ja nuk e mori më veten nga ky dështim. Pasuan humbje në tre zgjedhje të tjera rajonale dhe edhe në Saksoni-Anhalt partia e Wagenknechtit duhet të shqetësohet për mbijetesën politike. Në sondazhe ajo zakonisht renditet nën kufirin prej pesë për qind. Parimisht vlen rregulli: sa më shumë parti të vogla të dështojnë të kalojnë pragun elektoral, aq më e madhe bëhet mundësia që Alternativa për Gjermaninë (AfD) të formojë e vetme qeverinë.

Sven Schulze refuzon koalicion me AfD dhe Të Majtën

Situata do të mbetet e ndërlikuar, nëse, përveç AfD-së, vetëm CDU-ja, E Majta dhe SPD-ja arrijnë të futen në parlamentin e ardhshëm të Saksoni-Anhaltit dhe së bashku sigurojnë më shumë mandate se partia e ekstremit të djathtë. Arsyeja është vendimi i CDU-së që nga viti 2018, i cili përjashton koalicionet si me AfD-në, ashtu edhe me Të Majtën. Kryeministri i Saksoni-Anhaltit, Sven Schulze, e rikonfirmoi këtë qëndrim në një intervistë për DW: "Është pikërisht ashtu siç e kam thënë: në tryezën e kabinetit tim nuk do të ulet askush nga AfD-ja dhe as askush nga Partia e Majtë." Nëse CDU-ja do t'i përmbahet këtij pozicioni, formimi i një qeverie mund të bëhet jashtëzakonisht i vështirë, madje ndoshta edhe i pamundur.

Politologu Oliver Lembcke nga Universiteti Ruhr në Bochum argumenton se CDU-ja do të duhej ta kishte përshtatur prej kohësh vendimin e saj për papajtueshmërinë e koalicioneve me realitetin e ri të sistemit partiak. Sipas tij, pikërisht ky mosveprim mund ta bëjë situatën në Saksoni-Anhalt veçanërisht të ndërlikuar. Në një prononcim për DW, Lembcke shpjegon: "Nëse një qeveri e udhëhequr nga AfD-ja mund të pengohet vetëm me votat e Partisë së Majtë, atëherë CDU-ja duhet të shpjegojë se si synon të arrijë njëkohësisht dy qëllime: të vazhdojë të përjashtojë çdo bashkëpunim strategjik me Të Majtën dhe, në të njëjtën kohë, me ndihmën e saj të pengojë formimin e një qeverie të AfD-së." Sipas politologut, kjo vështirë se mund të realizohet pa manovra të ndërlikuara politike dhe pa kundërthënie në qëndrimet e CDU-së.

A mund të luajë E Majta një "rol konstruktiv” në Saksoni-Anhalt?

Partia E Majta është e gatshme, nëse është e nevojshme, ta ndihmojë kryeministrin e CDU-së, Sven Schulze, të sigurojë një mandat të dytë në krye të qeverisë së Saksoni-Anhaltit. "Gjatë viteve të fundit kemi treguar si parti E Majta se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi për këtë land. Sidomos kur bëhet fjalë për të penguar AfD-në,” deklaroi bashkëkryetari federal i partisë, Luigi Pantisano, për televizionin ZDF. Ai iu referua landeve Turingji dhe Saksoni, ku CDU-ja drejton qeveri pa pasur shumicë parlamentare dhe, për këtë arsye, varet nga mbështetja e Partisë së Majtë.

Kur kryeministri i Saksonisë, Michael Kretschmer, në nëntor 2025 bëri bilancin pas një viti qeverisjeje si pakicë së bashku me SPD-në, ai vlerësoi shprehimisht "rolin konstruktiv” të partisë e Majta.

Saksoni-Anhalti mund të vendosë edhe fatin e BSW-së

Në Saksoni-Anhalt, E Majza mund të pengohet të luajn një rol vendimtar në qeverisje nëse edhe partia e Sahra Wagenknechtit (BSW) arrin të fitojë vende në parlamentin e landit. Për këtë rast, Wagenknecht ka paralajmëruar tashmë se deputetët e BSW-së do të abstenonin gjatë votimit për zgjedhjen e kryeministrit. Kjo mund t'i hapte rrugën AfD-së drejt pushtetit. BSW-ja e refuzon në parim "murin mbrojtës” (Brandmauer) që të gjitha partitë e tjera kanë ngritur kundër AfD-së.Politologu Oliver Lembcke, duke iu referuar rezultateve të dobëta të BSW-së në sondazhet në Saksoni-Anhalt, flet për një "fazë vendimtare" për këtë parti. Sipas tij, mesazhi i Sahra Wagenknechtit është: "Një votë për BSW-në nuk është një votë e humbur për ndryshimin politik. Përkundrazi, kush voton BSW-në mund të kontribuojë në rrëzimin e murit mbrojtës."

Megjithatë, roli i partisë e E Majta si forcë stabilizuese mund të vihet në pikëpyetje nëse edhe BSW-ja e Sahra Wagenknechtit arrin të futet në parlamentin rajonal. Wagenknecht ka paralajmëruar se deputetët e saj do të abstennonin në zgjedhjen e kryeministrit, një qëndrim që mund të favorizojë ardhjen e AfD-së në pushtet. Ndryshe nga partitë e tjera, BSW-ja e kundërshton "murin mbrojtës" ndaj AfD-së, duke e bërë edhe më të ndërlikuar ekuacionin politik pas zgjedhjeve.

AfD-ja refuzon një qeveri pakice

Megjithatë, AfD-ja, e cila nuk ka ende përvojë qeverisëse, ka bërë të ditur se nuk është e gatshme të pranojë një model të tillë. . Sipas Lembckes, me këtë strategji Wagenknecht përpiqet njëkohësisht të ringjallë BSW-në si një forcë politike të pavarur."BSW-ja lë të kuptohet se mund të mundësojë një qeveri pakice të drejtuar nga AfD-ja, pa hyrë vetë në koalicion me AfD-në.”

Duke pasur parasysh konfigurimin e ndërlikuar politik, një gjë duket e qartë që para zgjedhjeve të 6 shtatorit: Saksoni-Anhalti ose do të përballet me negociata jashtëzakonisht të vështira për formimin e qeverisë, ose landi mund të drejtohet nga AfD-ja, nëse kjo parti përfiton nga dështimi i sa më shumë partive të vogla për të kaluar pragun elektoral dhe siguron kështu shumicën absolute në parlament. / DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat