FC Kosova përballet me Katernbergun, me dy të njohur të vjetër

Futboll

FC Kosova përballet me Katernbergun, me dy të njohur të vjetër

Nga: K.G. Më: 6 shtator 2026 Në ora: 13:48
Kosova

Pas fitores 2:1 ndaj SC Werden Heidhausen, FC Kosova synon të vazhdojë me fitore edhe në shtëpi.

Trajneri Engin Kizilaslan kërkon durim në rindërtimin e skuadrës dhe një zhvillim gradual, hap pas hapi.

“Kizilaslan premton një pasdite interesante futbolli. “Mendoj se të dielën do të zhvillohet një ndeshje e fortë”, thotë trajneri i FC Kosova para përballjes në shtëpi me Sportfreunde Katernberg.

Te skuadra mysafire është edhe trajneri Sascha Hense, të cilin Kizilaslan e vlerëson shumë. Por në radhët e ekipit nga Eseni janë edhe dy futbollistë të njohur për Kosovën: Besim dhe Beslind Fazlija.

“Dy vëllezërit Fazlija sezonin e kaluar luanin te Kosova dhe ishin pjesë e repartit defensiv që siguronte stabilitetin e skuadrës.

Gjatë ndryshimeve të mëdha në verë, ata vendosën të kërkonin një sfidë të re dhe e gjetën atë te Katernbergu.

Përballja në stadiumin në Karl-Homann-Straße nuk ka të bëjë vetëm me historitë personale. Edhe situata në tabelë i jep ndeshjes një rëndësi të veçantë. Pas tri xhirove, të dyja skuadrat kanë nga katër pikë, po aq sa edhe katër ekipe të tjera.

Prandaj, fitorja do t'i mundësonte njërës prej tyre të shkëputej disi nga grupi i gjerë i ekipeve.

Pas rinisjes së projektit gjatë verës, te FC Kosova ende nuk duan të shikojnë drejt kreut të tabelës. Në krye, me pikë të barabarta me Adler Frintrop, ndodhet pikërisht ish-klubi i Kizilaslanit, i cili ka regjistruar tri fitore.

Trajneri 44-vjeçar kishte punuar për disa vite për ta ndërtuar DV Solingen si një skuadër pretendente”, ka shkruar media gjermane “Fupa”.

 Sipas tij, “Klingenstädter” aktualisht janë pak më përpara në zhvillim, por diferenca nuk është e madhe.

“E di shumë mirë se si ishte situata kur fillova atje para tre vjet e gjysmë. Besoj se mund ta bëj mirë krahasimin. Nuk jemi shumë larg”, tha ish-futbollisti i Fortuna Düsseldorf.

Kizilaslan dëshiron ta ngushtojë gradualisht distancën me ekipet e kreut, pa nxituar. “Gjithçka është një proces dhe nuk ndodh brenda natës. Duam të zhvillohemi hap pas hapi”, thekson ai.

Rezultatet e deritanishme japin arsye për optimizëm. Të dielën e kaluar, Kosova fitoi 2:1 në transfertë ndaj SC Werden Heidhausen, duke regjistruar fitoren e parë jashtë fushe. Ishte një triumf i luftuar fort.

“U pa se sa shumë dëshirë kanë djemtë. Investuam gjithçka për t'i marrë tri pikët me vete në shtëpi”, tha Kizilaslan.

Tani Kosova synon edhe fitoren e parë në shtëpi ndaj Katernbergut. Trajneri nuk shqetësohet shumë edhe pse nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë me përvojë: Sakaki Ota, i cili mungon për arsye private, dhe Ibuki Noguchi, i pezulluar pas kartonit të kuq ndaj Gnadentalit.

“Kështu i jepet mundësia dikujt tjetër”, thotë trajneri.

Në veçanti, Andrri Pedchenko po kërkon një vend në formacionin titullar. Ukrainasi i ri shënoi pas inkuadrimit të tij në ndeshjen ndaj Werdenit dhe tashmë ka realizuar tri nga pesë golat e FC Kosova në ndeshjet zyrtare këtë sezon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat