Situata me flakët në Bardhaj të Shkodrës vijon të jetë problematike prej më shumë se 24 orësh pasi raportohet se zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po rrezikon banesat e zonës. Banorët e zonës të prekur nga ngjarja rrëfejnë momentet se si flakë iu shkrumbuan ullishtet të cilat janë dhe burim parash për to.
“Çfarë na ka ndodhur ne, mos i ndodhtë as serbit”, thotë për mediat Zef Dushi banor i zonës.
Siç raportuam dhe mëngjesin e sotëm, Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se situata më problematike me zjarrin paraqitet në Bardhaj të Shkodrës, ku u raportua se është angazhuar dhe një helikopter për të shtuar ndërhyrjet në shuarjen e flakëve kryesisht në terrenet e vështira ku mjetet zjarrfikëse nuk ndërhyjnë dot.
Mirëpo, flakët janë intensifikuar duke marrë përmasa më të mëdha, ndaj banorët bëjnë thirrje që të shtohen ndërhyrjet nga ajri pasi flakët po u shkrumbojnë atyre tokat dhe po u rrezikojnë shtëpitë.

