Policia e Tiranës ka zbardhur vjedhjen e ndodhur 10 ditë më parë në një banesë në Sharrë, ku u morën 2.5 milionë lekë dhe bizhuteri me vlerë rreth 500 mijë lekë.
Në operacionin e koduar “Last Scheme”, janë identifikuar katër persona si autorë të dyshuar, tre prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë shtetasit me inicialet L. S., 26 vjeç, K. T., 23 vjeç dhe M. H., 37 vjeç, ndërsa A. B. është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve në një servis automjetesh në Astir, në bashkëpronësi të A. B. dhe M. H., policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, tre krehra me 82 fishekë luftarakë, dy automjete, një motomjet dhe dy palë targa automjetesh.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e K. T. u sekuestruan një automjet dhe 55 mijë lekë, që dyshohet se kanë burim kriminal. Policia vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.













