Jamie Vardy është lojtari i ri i Burnleyt.
Klubi anglez, që luan në kategorinë e dytë, njoftoi se sulmuesi 39-vjeçar ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit aktual.
Vardy i është bashkuar klubit si lojtar i lirë, pasi këtë verë i përfundoi kontrata me Cremonesen.
“Jemi të emocionuar të njoftojmë ardhjen e sulmuesit me shumë përvojë, Jamie Vardy, i cili ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit aktual. Mirë se vjen në Burnley, Jamie”, njoftoi klubi.
Vardy rikthehet kështu në futbollin anglez pas vetëm një viti. Verën e kaluar ai u largua nga Leicesteri pas 13 vitesh dhe u transferua te Cremonese.
Pjesën më të madhe të karrierës së tij Vardy e kaloi te Leicesteri. Për klubin ai luajti nga 2012 deri në 2025, duke zhvilluar saktësisht 500 ndeshje dhe duke shënuar 200 gola.
Ai u transferua te Leicesteri nga Fleetwood Town, që në atë kohë luante në kategoritë e ulëta të futbollit anglez. Më pas u bë një nga lojtarët kryesorë të suksesit më të madh në historinë e Leicesterit.
Në sezonin 2015/16, Vardy shënoi 24 gola dhe udhëhoqi Leicesterin drejt një prej triumfeve më të pabesueshme në historinë e futbollit anglez: titullit kampion të Premier League.
Me Leicesterin ai fitoi gjithashtu FA Cup në vitin 2021, ndërsa gjatë karrierës së tij fitoi edhe Këpucën e Artë të Premier League.
Në kampionatin anglez, Vardy ka shënuar gjithsej 145 gola në 342 paraqitje.
Me kombëtaren e Anglisë, Vardy ka luajtur 26 ndeshje dhe ka shënuar shtatë gola.
Ai mori pjesë në Euro 2016 dhe në Kupën e Botës 2018. Pas përfundimit të Botërorit 2018, Vardy u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar.