Një shofer autobusi është ndëshkuar nga Policia Rrugore pasi është filmuar duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit të transportit publik.
Ngjarja është konstatuar në aksin rrugor Divjakë-Lushnjë, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale.
Pas verifikimit të pamjeve, shërbimet e Policisë Rrugore të Fierit kanë identifikuar drejtuesin e autobusit dhe e kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Divjakë.
Për shkeljet e konstatuara, ai është gjobitur me 50 mijë lekë dhe i është tërhequr leja e qarkullimit.
“Në lidhje me një video të publikuar në median sociale “Piranjat”, në të cilën shfaqet një shtetas duke përdorur celularin gjatë drejtimit të një mjeti të shërbimit publik, në aksin rrugor “Divjakë-Lushnjë”, ju bëjmë me dije se:
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Fier kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Divjakë drejtuesin e autobusit.
Për shkeljet e konstatuara, bazuar në pikat 3 dhe 10 të nenit 79, pikat 1 dhe 8 të nenit 170, si dhe pikat 2 dhe 3 të nenit 171 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit është ndëshkuar me masë administrative në vlerën 50 000 lekë, si dhe me tërheqjen e lejes së qarkullimit.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit, ka rezultuar se drejtuesi qarkullonte me certifikatën e kontrollit teknik të mjetit të përfunduar”, njofton policia.













