Policia e Tiranës ka sekuestruar mbi 5.2 kilogramë heroinë dhe kokainë ndërsa ka arrestuar në flagrancë dy persona, të dyshuar për transportimin e lëndës narkotike në drejtim të Durrësit.
Në pranga kanë rënë Mirand Herri, 51 vjeç, banues në Maminas, Durrës, dhe Luftim Hoxha, 41 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Maminas, Durrës.
Sipas njoftimit operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy shtetas do të transportonin një sasi të konsiderueshme droge në zonën e “Treshit”, pranë Nishtulla 3, në drejtim të Durrësit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve lokalizuan automjetin tip Mercedes-Benz në rrugën “Kastriotët” dhe ndërhynë për kontrollin e tij.
Në brendësi të automjetit u gjet një çantë me 7 pako me lëndë të dyshuar narkotike.
Konkretisht, policia sekuestroi 4 pako heroinë, me peshë 2 kilogramë e 123.6 gramë, si dhe 3 pako kokainë, me peshë totale 3 kilogramë e 120.6 gramë.
Në total, sasia e sekuestruar arrin në 5 kilogramë e 244.2 gramë heroinë dhe kokainë.













