Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha në nisje të vizitës së tij në SHBA ka zhvilluar një takim me diasporën shqiptare.
Në një mesazh që kreu demokrat ka publikuar në faqen e tij në facebook, shkruan se, “në takimin me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, ngrita shqetësimet kryesore që përballon vendi ynë: shpopullimin, drogën dhe krimin e organizuar, deformimin e ekonomisë dhe kapjen e institucioneve”.
Postimi i plotë:
Në SHBA, me diasporën shqiptare: për një Shqipëri që duhet ta rikthejmë te ligji, liria dhe demokracia.
Në takimin me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, ngrita shqetësimet kryesore që përballon vendi ynë: shpopullimin, drogën dhe krimin e organizuar, deformimin e ekonomisë dhe kapjen e institucioneve.
Mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria gjatë 10 viteve të fundit. Ky është një alarm kombëtar që nuk mund të injorohet.
Krimi i organizuar dhe paratë e drogës kanë deformuar ekonominë, kanë goditur bizneset dhe kanë depërtuar në institucionet shtetërore dhe në proceset zgjedhore.
Diaspora shqiptare në SHBA ka qenë gjithmonë një forcë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Kosovën. Sot, më shumë se kurrë, kontributi i saj është i domosdoshëm për t’ua paraqitur partnerëve tanë realitetin e Shqipërisë.
Bashkë do të vazhdojmë betejën për rikthimin e shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira dhe të drejtave të shqiptarëve.
Me besim te mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe te forca e diasporës shqiptare.
© SYRI.net