Gjykata e Vlorës ka vendosur masat e sigurisë për personat e përfshirë në konfliktin mes biznesmenëve në resortin “Regina Palm” në Radhimë.
Mësohet se për biznesmenin Luan Muça është rrëzuar akuza e gjobëvënies, duke bërë që ai të lirohet dhe ndaj tij të caktohet masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërkohë për Angjelo Breshanin është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Për tre të arrestuarit e tjerë, Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë.
Ngjarja ndodhi më 3 shtator, kur biznesmeni Vasil Bedinaj ngriti akuza se ishte kërcënuar nga një grup personash në ambientet e hotelit të tij në Orikum të Vlorës. Konflikti mes dy biznesmenëve buron nga një mosmarrëveshje pronësie lidhur me një tokë në zonën e Dhërmiut.
Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi se e gjithë zona në fjalë do të shpronësohet dhe do të kthehet në një tokë publike ku do të mbillen ullinj.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme. Dhe sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik e turistik për të gjithë. Një tokë që i ndau me dhunë 2 investitorë fqinjë, duke pështirosur gjithë Shqipërinë, do kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietete autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut”, theksoi Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/