Turizmi mund të shndërrohet në një prej sektorëve kryesorë të ekonomisë së Kosovës, madje edhe në “shpresën e vetme” për një zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Kështu vlerëson Rrahim Ternava, themeluesi i “Traveks”, agjencisë që provonovon turizmin ndërkombëtar në Kosovë. Andaj, kërkon angazhim më të madh institucional për promovimin e vendit si destinacion turistik.
Në një intervistë për KosovaPress, Ternava ka thënë se Kosova ka potencial të madh turistik, por i mungon një promovim i organizuar dhe institucional jashtë vendit.
“Kosova duhet me u prezantu nga shteti. Se një turoperator ose një person është shumë e vështirë me e promovu Kosovën jashtë i vetëm. Kosova duhet t'i ketë institucionet e veta të cilat marrin përgjegjësi institucionale dhe të ketë agjencione, departamente më shumë që e promovojnë nëpër botë, nëpër panairet e mëdha. Për shembull, nëse i marrim shtetet përreth, në Shqipëri kemi tri agjencione të cilat janë me qindra njerëz të punësuar, që paguhen çdo muaj, për me promovu turizmin jashtë. Të tri agjencionet janë themeluar prej qeverisë. Edhe të triat bëjnë promovimin pandërprerë për bukuritë natyrore. Ata janë shtylla kryesore për me promovu shtetin. Kështu që në Kosovë mungojnë këto, agjencione të tilla mungojnë fatkeqësisht”, thekson Ternava.
Duke folur për trendin e vizitorëve, Ternava ka thënë se turizmi në Kosovë ka shënuar rritje dhe se, bazuar në të dhënat që ka parë, viti 2026 mund të jetë edhe më i mirë.Në anën tjetër, krahas potencialit dhe rritjes së numrit të turistëve, Ternava ka treguar se sektori përballet edhe me sfida të ndryshme, përfshirë raste kur mungesa e koordinimit institucional rrezikon edhe organizimin e vizitave turistike.
“Një sfidë ka qenë, diku para 10 viteve kemi pasur një grup të vogël njerëzish prej Hong Kongut që kanë vizituar Kosovën. Edhe kanë dalë shumë të kënaqur. Edhe kur janë kthy në Hong Kong, kanë shkruar dhe kanë thënë që të kemi siguruar një grup tani prej 20 vetash, i cili grup mirret vetëm me vizitë nëpër vendet e botës, merr pjesë nëpër maratona, nëpër vrapime...Edhe kemi organizuar maratonën me mbajt në të njëjtën datë. Biletat janë nxjerrë prej turistëve, gjithçka është siguru, hotelet, një pjesë e madhe është paguar, rezervimi nëpër Ballkan. Po një muaj më herët ndryshon data e maratonës. Dikur edhe maratona anulohet, nuk mbahet hiç. Për arsye të ndryshme në komunën e Gjakovës... Çka kemi bërë, u dasht me marrë një ndër organizatorët që ka qenë një vit më herët, Mimoza Kursari në atë kohë, edhe me ia tregu rastin qysh është, që është një grup prej 20 vetash që është përgatit turi, gjithçka është paguar, dhe na ka ndihmuar.., edhe maratonën e kemi mbajtur me vetëfinancim e vetëorganizim, gjithçka. Edhe turistat janë ndarë të kënaqur që nuk e kemi ndryshuar datën”, nënvizon Tënava.
Sipas Tërnavës, turizmi mund të jetë një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, veçanërisht në një kohë kur vendi nuk po arrin të tërheqë investime të mëdha industriale.
Ai ka përmendur edhe politikat mbështetëse të vendeve të rajonit, duke thënë se Maqedonia e Veriut në të kaluarën ka subvencionuar operatorët turistikë për turistët që sillnin në vend, përfshirë mbështetjen në bileta dhe shërbime të tjera.
“Po mundet, edhe unë e parashoh si të vetmen shpresë për me u zhvillu ekonomia e vendit në mënyrë më të shpejtë, është turizmi. Tek ne nuk po vijnë fabrikat e mëdha të industrisë, kështu që duke marrë parasysh që mikpritjen e kemi, shërbimin e kemi, i kemi makiato më të mirat në botë edhe ekspresot i kemi të mirat, kështu që disa shërbime i kemi shumë të mira në krahasim me shtetet e Ballkanit...E çka duhet me bërë shteti edhe turoperatorët tonë? Me u bashku, me u koordinu mirë, edhe me dal me prezantu Kosovën, që turistat, grupet që vijnë se aty është ekonomia më e lartë që i ndihmon Kosovës, me ardh, me u nis prej Kosovës edhe me u kthy në Kosovë prapë. Se kur kjo ndikon shumë, që sa më shumë netë që rrinë në Kosovë, aq më shumë të hyra sjellin për Kosovën. Edhe linjat e aeroplanit edhe kjo ndikon, biletat që janë shtrenjtu nganjëherë. Për shembull në të kaluarën, shteti i Maqedonisë turoperatorëve i ka ndihmu me një shumë të caktuar për secilin turist që e kanë sjellë. Edhe në bileta po edhe në shërbime të tjera që ua kanë dhënë. Krejt çka duhet, promovimi i shtetit duhet të bëhet prej shtetit. Se s'mundet një turoperator”, thotë Ternava.
“Ka turistë që duan me pa edhe pyetje bëjnë shumë për veriun e Kosovës, për veriun e Mitrovicës. Edhe ka që shkojnë, e vizitojnë e shohin. Është interesant. Nëse dimë ne me e prezantu qysh duhet, çka të dimë me e prezantu qysh duhet, po nuk mundemi vetë, pa shtetin. Me i bërë disa ture për Mitrovicën e Veriut me detaje, me orë të caktuara. Me ju tregu që siguria është në nivel tash edhe atje. Nuk është ajo se qysh kanë prezantu Serbia edhe çka kanë thënë. Po me i dërgu me shku me pa veriun, jugun qysh ka mbet. Për shembull, veriu pa investime që sa vite atje, dhe dallimin me e bërë me jugun. Shkon në jug i pin një kafe e sheh investimet që janë bërë dhe si zhvillohet jeta, dhe shkon në veri, e sheh që s'ka pas investime më shumë se dy dekada atje, pse është kontrollu prej krimit, organizu prej kriminelëve. Edhe tash kanë fillu investimet edhe atje, që është shumë e mirë kjo, shumë pozitive, që sa më shumë të investohet atje në veri dhe me u integru edhe ajo pjesë me qenë sikur jugu”, potencon Ternava.
Ternava ka veçuar turistët anglezë si një prej grupeve me të cilët, sipas tij, ka pasur përvoja veçanërisht të mira gjatë vizitave të tyre në Kosovë.
Por, si lindi ideja për themelimin e “Traveks”?