Rastet me fruth në vend kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, brenda pesë muajve të këtij viti, nga 16 prilli deri më 30 gusht janë konfirmuar 151 raste me fruth.
E nga të gjitha këto, sipas IKSHPK-së, mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth janë te personat e pavaksinuar, duke dëshmuar kështu edhe një herë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtje të fëmijëve ndaj fruthit.
Nga janari deri në gusht janë vaksinuar 8 mijë e 540 fëmijë.
Shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Xhevrie Canolli për KosovaPress, tha se janë vaksinuar 2 mijë e 500 fëmijë të grupmoshës 1 deri 5 vjeç, 2 mijë e 900 fëmijë të grupmoshës 5 deri 7 vjeç dhe 3 mijë e 140 nxënës të klasës së parë.Mes tjerash, ajo tregoi se vaksinimi është mënyra më efektive për parandalimin e përhapjes së fruthit, derisa theksoi se komplikimet shëndetësore që vijnë nga kjo sëmundje ngjitëse mund të shkojnë deri në fatalitet.
Sipas Canollit, efektet anësore të vaksinimit janë të lehta, përfshirë këtu temperaturën e lehtë, lodhjen, humbjen e oreksit, plogështinë, ndërsa në vendin e injektimit mund të paraqitet një ënjtje e lehtë dhe skuqje që kalojnë brenda një deri në dy ditë.