Nis restaurimi i filmit “Një gjeneral kapet rob”, Turjan Hysko i bashkohet nismës për ruajtjen e kujtesës filmike
6 September, 2026 - 10:40
Restaurimi i filmit ikonik shqiptar “Një gjeneral kapet rob” ka nisur në kuadër të nismës “Adopto një Film për Restaurim”, pasi aktori dhe producenti Turjan Hysko iu bashkua kësaj nisme të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF). Lajmin e ka bërë të ditur vetë AQSHF, duke e cilësuar nisjen e restaurimit si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës filmike shqiptare.
Filmi, i prodhuar në vitin 1980 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, është një prej veprave të trashëgimisë kinematografike shqiptare që tashmë nis procesin e restaurimit për t’iu rikthyer publikut në një gjendje të përshtatshme.
AQSHF e ka falënderuar Turjan Hyskon për kontributin dhe për përfshirjen në nismën “Adopto një Film për Restaurim”, ndërsa ka bërë të ditur se nisma vijon të jetë e hapur edhe për filma të tjerë. Të interesuarit mund të kontaktojnë arkivin përmes inbox-it ose në adresën elektronike të Eljan Taninit për të zgjedhur filmin që dëshirojnë të adoptojnë për restaurim.
“Një gjeneral kapet rob” është realizuar me regji të Spartak Pecanit dhe skenar të Skender Haskos dhe Nexhati Tafës. Muzika mban firmën e Aleksandër Lalos, operator ishte Lionel Konomi, piktor Sali Allmuça, montazhi u realizua nga Marika Vila, ndërsa zëri nga Xhevat Behri.
Në kastin e filmit interpretojnë Florenc Skendaj, Enkela Doracaj, Eptan Lohja, Enrik Gjoka, Genc Dautaj, Endri Lulo, Gent Strazimiri dhe aktorë të tjerë.
Filmi është prodhuar në vitin 1980 dhe premierën e ka pasur më 19 janar 1981 në Himarë. Xhirimet janë realizuar në Himarë dhe Vlorë. Vepra ka gjashtë akte dhe një kohëzgjatje prej 50 minutash.
“Një gjeneral kapet rob” ka pasur edhe një vlerësim ndërkombëtar. Në vitin 1982, filmi u nderua me çmim të veçantë në Festivalin XI Ndërkombëtar të Filmave për të Rinj dhe Fëmijë në Xhifoni Vale Piana, Salerno, Itali.
Me nisjen e restaurimit, filmi hap një kapitull të ri në jetën e tij artistike, ndërsa nisma e AQSHF-së synon të mbajë gjallë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kinematografike shqiptare. Përmes “Adopto një Film për Restaurim”, kujtesa filmike nuk mbetet vetëm në arkiv, por kërkon të rikthehet te publiku dhe te brezat që do ta njohin përmes saj historinë e kinemasë shqiptare./KultPlus.com



