Sotir Kolea, studiuesi që ia kushtoi jetën gjuhës dhe kulturës shqiptare

4 September, 2026 - 23:30

Sot, më 4 shtator, shënohet përvjetori i lindjes së Sotir Koleas, një prej figurave të rëndësishme të kulturës dhe studimeve shqiptare. Ai lindi më 4 shtator 1872 në lagjen Goricë të Beratit dhe vdiq në Elbasan më 3 korrik 1945.

Kolea ishte leksikograf, folklorist, publicist dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë jetës së tij u angazhua në çështje të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare, ndërsa në vitin 1928 u emërua drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar.

Gjatë drejtimit të Bibliotekës Kombëtare, Kolea punoi për pasurimin e fondit të librave dhe dokumenteve me vlerë për historinë dhe kulturën shqiptare. Nga rreth 4 mijë libra që kishte biblioteka kur ai mori detyrën, fondi u pasurua me rreth 14 mijë tituj të rinj deri në vitin 1937.

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me mbledhjen dhe ruajtjen e dokumenteve historike. Ai kreu kërkime në biblioteka të huaja dhe mblodhi materiale që lidhen me figura dhe ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare.

Kolea i kushtoi një pjesë të madhe të jetës edhe studimit të gjuhës shqipe. Ai punoi për hartimin e disa fjalorëve, përfshirë një fjalor Shqip-Greqisht me rreth 68 mijë fjalë, i cili mbeti në dorëshkrim. Ai la gjithashtu studime në fushën e folklorit, etnografisë, botanikës dhe toponomastikës.

Pas daljes në pension në vitin 1937, u vendos në Elbasan, ku vazhdoi punën e tij studimore. Sot, një pjesë e madhe e dorëshkrimeve dhe kërkimeve të Sotir Koleas ruhen në fondin “Kolea” të Arkivit të Shtetit./KultPlus.com

Të ngjashme