
Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, ka reaguar publikisht pas videos që po qarkullon në rrjetet sociale, ku ai shfaqet në një përplasje verbale pas përfundimit të ndeshjes Elbasani–Vllaznia.
Xhaferi pranoi se sjellja e tij ishte e papranueshme dhe i kërkoi publikisht ndjesë arbitrit Ergys Spahiu dhe familjes së tij.
“Asnjë rrethanë nuk e justifikon veprimin. Ai personalisht nuk kishte asnjë faj në atë përplasje dhe reagimi im ndaj tij ishte i papranueshëm”, deklaroi Xhaferi, duke shtuar se çështja mes tyre është sqaruar në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok.
Ai u kërkoi falje gjithashtu familjeve shqiptare dhe të gjithë atyre që kanë parë ose dëgjuar pamjet, duke theksuar se një sjellje e tillë nuk përfaqëson edukatën dhe vlerat e tij.
Kreu i klubit shkodran sqaroi se beteja e tij nuk është kundër individëve, por ndaj një sistemi që, sipas tij, po dëmton besimin te futbolli shqiptar. Xhaferi i bëri thirrje presidentit të FSHF-së, Armand Duka, që të ndërhyjë dhe, së bashku me klubet dhe aktorët e futbollit, të punohet për ndërtimin e një sistemi më transparent, të drejtë dhe të kontrollueshëm.
Duke iu përgjigjur edhe një pjese të mediave, Xhaferi kërkoi që gabimi i tij të mos përdoret për të shmangur debatin mbi problematikat reale të futbollit shqiptar.
“Kam gabuar dhe do të gaboj si çdo njeri, por do të kem gjithmonë forcën të kërkoj falje kur gaboj dhe po aq forcë të ngre zërin kur besoj se po bëhet një padrejtësi”, përfundoi Alban Xhaferi, duke deklaruar se do të vazhdojë të luftojë për Vllazninë, Shkodrën dhe një futboll shqiptar më të drejtë.






