
Ish-kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Paulin Luli, ka dalë publikisht kundër reformës së re territoriale që parashikon shkrirjen e disa bashkive, duke kundërshtuar veçanërisht heqjen e Bashkisë Fushë-Arrëz nga harta administrative.
Në një reagim publik, Luli, i cili është me origjinë nga Fushë-Arrëzi, e cilëson këtë zonë si një trevë me histori, identitet dhe kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit, duke theksuar se një reformë e tillë nuk mund të realizohet pa konsultim të plotë me qytetarët.
Sipas tij, procesi i dëgjesave publike ka qenë formal dhe nuk ka garantuar pjesëmarrjen reale të banorëve në vendimmarrje. Ai shprehet se një referendum lokal do të ishte mënyra më demokratike për të përcaktuar vullnetin e komunitetit lidhur me të ardhmen e Bashkisë Fushë-Arrëz.
Luli argumenton se reforma ka karakter politiko-elektoral dhe se do të çojë në dobësimin e pushtetit vendor, duke kufizuar vetëqeverisjen lokale dhe duke përqendruar më shumë kompetenca në qeverinë qendrore.
Ai paralajmëron se pasojat do të ndihen veçanërisht nga banorët e njësive administrative Fierzë, Iballë, Blerim dhe Qafë-Mali, si edhe të fshatrave të thellë malorë, të cilët do të përballen me distanca më të mëdha dhe vështirësi më të shumta për të marrë shërbimet publike.
Në deklaratën e tij, Luli u bën thirrje banorëve të Fushë-Arrëzit që të bashkohen dhe të kundërshtojnë këtë reformë përmes protestave, duke e konsideruar periudhën e festës tradicionale të gushtit si një moment për të ngritur zërin në mbrojtje të interesave të komunitetit.
Ai thekson se Fushë-Arrëzi, për shkak të pasurive minerare dhe kontributit historik në ekonominë shqiptare, meriton të trajtohet me respekt dhe se vendimmarrja për të ardhmen e bashkisë duhet t’u takojë vetë banorëve.






