Ish-deputeti Romeo Gurakuqi ka reaguar për ecurinë e punimeve në Urën e Bahçallëkut në Shkodër, duke shprehur shqetësimin për ritmin e ndërtimit dhe afatet e përfundimit të saj.

Sipas Gurakuqit, ura ka rëndësi strategjike, pasi nuk u shërben vetëm banorëve të Shkodrës, por edhe qytetarëve që hyjnë në Shqipëri përmes pikave kufitare veriperëndimore. Ai pretendon se teknikat dhe mjetet e përdorura në kantier nuk përputhen me fondin e konsiderueshëm të vendosur në dispozicion nga qeveria.

Gurakuqi shprehet se, bazuar në informacionet e bëra publike së fundmi, ura mund të mos përfundojë as gjatë verës së ardhshme, ndërsa si problem kryesor paraqitet ndërtimi i këmbës qendrore. Ai e cilëson situatën si një “skandal” dhe kërkon sqarime për përzgjedhjen e kompanisë zbatuese, angazhimin e nënkontraktorëve dhe respektimin e afateve.

Ish-deputeti i kërkon ministrit të Infrastrukturës të vërë në lëvizje strukturat e auditimit për të verifikuar të gjithë procedurën, që nga shpallja e tenderit dhe përzgjedhja e fituesit, deri te standardet teknike, administrimi i fondit dhe zbatimi i projektit.

Në fund të reagimit, Gurakuqi u bën thirrje qytetarëve shkodranë që të kërkojnë transparencë dhe llogari nga institucionet përgjegjëse lidhur me ecurinë e një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore për hyrjen e qytetit.