VLEN: Rritje ekonomike prej 4,3 për qind, rreth 20 milionë euro për kompanitë vendore
VLEN e ka cilësuar si lajm të mirë për vendin rritjen ekonomike prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë të vitit, duke theksuar se pas kësaj rritjeje qëndrojnë investimet, eksporti dhe industria përpunuese.
Sipas VLEN-it, investimet janë rritur për 16,5 për qind, eksporti për 10,4 për qind, ndërsa industria përpunuese për 4,1 për qind.
“Kompanitë po investojnë më shumë, prodhimi po zgjerohet, ndërsa mallrat tona po gjejnë hapësirë në tregjet e huaja”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Nga koalicioni theksojnë gjithashtu mbështetjen financiare për kompanitë vendore përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, të drejtuar nga ministri Besar Durmishi.
Sipas VLEN-it, gjatë këtij viti janë ndarë 1,23 miliardë denarë, ose rreth 20 milionë euro, për kompanitë vendore.
Këto mjete, sipas komunikatës, janë dedikuar për kompanitë që synojnë zgjerimin e prodhimit, blerjen e pajisjeve të reja dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“VLEN-i do të vazhdojë ta mbështesë këtë politikë. Punë ka ende, por bizneset tashmë e dinë se në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës kanë një partner që i dëgjon dhe i mbështet kur investojnë”, deklarojnë nga VLEN.
Qëndrimi i koalicionit vjen në një kohë kur Ministria e Ekonomisë dhe Punës po thekson mbështetjen shtetërore për kompanitë që investojnë, rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë dhe krijojnë vende të reja pune.
VLEN vlerëson se kombinimi i rritjes së investimeve, zgjerimit të eksporteve dhe rritjes së industrisë përpunuese përbën një bazë të rëndësishme për vazhdimin e rritjes ekonomike.
Megjithatë, nga VLEN pranojnë se “punë ka ende”, duke e paraqitur mbështetjen ndaj sektorit privat dhe investimeve vendore si një prej prioriteteve të politikës së tyre ekonomike.










