
Vllaznia e vajzave nuk është një ekip çfarë apo apo i zakonshëm i futbollit shqiptar. Rezultatet fantastike, 13 herë kampion i padiskutueshëm i Superligës së vajzave dhe një futbolliste me statistika stratosferike, të paarritshme edhe në futbollin e djemve, e kanë futur tashmë këtë ekip në historinë e padiskutueshme edhe të futbollit në nivel Europian.
Sot ky ekip, rrezikon të futet në një qerthull pa kthim, deri në shuarjen e plotë të tij. Të gjitha sukseset e deritanishme, janë vulor nën drejtimin e presidentit Lazer Matija, sigurisht jo i vetëm por me një numër trajnerësh dhe sportistesh elitare. E pikërisht sot, dukshëm i emocionuar, Lazer Matia ka njoftuar tërheqjen nga pozicioni i tij te KFF Vllaznia.
Jo vetëm kaq, ai e tha thuajse hapur se ky vendim i vështirë, shumë i vështirë për arsye që nuk ka nevojë as të permenden, erdhi si rezultat i presionit nga FSHF- ja, që nënkupton presidentin Armand Duka. Arsyeja? Sepse Lazër Matija, tha disa të verteta që të gjithë i dimë, edhe vetë Duka, mes të cilave që në futbollin shqiptar janë futur dhe qarkullojnë para të pista.
Në një deklaratë të gjatë, Matija tha shumëçka për këtë situatë aspak të zakonshme në futbollin e vajzave, rrjedhimisht edhe në “topekëmbën” në përgjithësi. Antar i FSHF- së prej mëse 30 vitesh, Matija ka bërë një analizë të asaj se si funksionon “qeveria” e futbollit shqiptar, ku përveç qokave edhe në organet e saj drejtuese, arrihet deri tek xhelozia se pse një ekip, si Vllaznia e vajzave, fiton prej shumë vitesh trofetë e për këtë, duhet përshtatur edhe skema e Superligës që kjo gjë të mos vijojë.
Administrimi i FSHF- së nga Duka, nuk është hera e parë që anatemohet. Janë të shumtë individët që ndër vite, janë përpjekur ti bien këmbanave të alarmit. Edhe rezultatet e Kombëtares, më shumë se frut i suksesit të në administrim të futbollit shqiptar, janë meritë e brezave që po formohen në klubet më të mira të globit dhe që përzgjidhen kryesisht, nga trajnerë të huaj. Të ishte ndryshe, numri i fubollistëve të Superligës shqiptare në radhët e Kombëtares do të rritej dhe jo do të zvoglohej në mënyrë drastike. Nga ana tjetër, për shkak t[ këtyre sukseseve në arenën ndërkombëtare, sidomos krahasuar me 20- 25 vite më parë, FSHF- ja nuk është më federatë e varfër financiarisht, përkundrazi.
Për ata që e kanë harruar, një ish- president i Vllaznisë, i ndjeri Myftar Çela, ishte mbështetësi dhe sponsori kryesor i ardhjen së Armand Dukës në drejtimin e FSHF- së dhe futbollit shqiptar. Nga ajo periudhë, Shkodra dhe futbolli shkodran, i kanë qendruar besnikë Dukës, edhe kur përballë tij, si Davidi para Goliatit, viheshin edhe figura të shquara të futbollit shkodran e shqiptar, edhe kur Duka impononte futjen në KE-në e FSHF- së të gazetarëve të njohur por pa asnjë kontribut të qenësishëm në futbollin shqiptar.
Situata aktuale, e kulmuar me dorëheqjen e Lazër Matija nga KFF Vllaznia, ka në sfond sërish një episod ku u përfshinë kuqeblutë, Vllaznia e djemve. Pas ndeshjes me Elbasanin, episodeve shumë të dyshimta në dëm të Vllaznisë, vijimësisë së pandërprerë nga sezoni i kaluar e më përtej, natyrshëm që do të kishte reagime. Sigurisht, në asnjë moment në Shkodër nuk është justifikuar e nuk do të justifikohet dhuna por nuk duhet harraur se edhe durimi e ka një kufi.
Incidentet në Elbasan- Vllaznia natyrshëm janë të lidhura shkak- pasojë edhe me vendimin ekstrem dhe të detyruar të Lazër Matisë, sidomos pasi në Shkodër erdhi një emisar i Dukës, me pamjen e një fakiri që merr një rrogë në FSHF. A ka ndërhyrje më të hapur se kjo në funksionimin demokratike dhe të një shoqate rajonale futbolli? Lazër Matija u zgjodh në nivel rajonal dhe vetëm nga kjo strukturë, mund të votëbesohej apo shkarkohej dhe jo të detyrohej të jepte dorëheqjen nga një fakir- mesazher i FSHF- së.
Me ekesperiencën e akumuluar në vite, veçanarisht rezultatet ekselente të arritura, Lazer matija do të ishte një aset i lakmuar e i çmuar për çdo ekip, edhe jashtë Shqipërië. Nuk është ky problemi, as për Matinë, as për Vllazninë e vajzave apo të djemve. Problemi është kalcifikimi që po sjell kalbëzim të dëmshëm brenda FSHF- së, duke dëmtuar edhe thelbin e këtij sporti, garën e ndershme dhe gjykimin e paanshëm. Deri në këto momente, nuk ka asnjë shenjë, as reflektimin më minimal nga asnjë organizëm brenda FSHF- së. Largimi i Lazër Matisë, rreziku i shkrirjes së një ekipi të jashtëzakonshëm si Vllaznia e vajzave, duhet të ngrinte të alarm një FSHF të tërë, nëse do të ishte vertetë federatë normale. /ShkodraWeb/




