Pierce Brosnan: Lutja më ndihmoi të përballoj humbjen e gruas dhe vajzës

Aktori Pierce Brosnan ka folur hapur për mënyrën se si besimi dhe lutja e kanë ndihmuar në disa prej momenteve më të dhimbshme të jetës së tij, përfshirë humbjen e bashkëshortes së parë, Cassandra Harris, dhe vajzës së tij, Charlotte, të dyja nga kanceri i vezoreve.
“Lutja më ndihmoi me humbjen e gruas nga kanceri dhe me një fëmijë që po kalonte kohë të vështira”, është shprehur aktori i njohur për rolin e James Bond. “Sot, lutja më ndihmon të jem baba, aktor dhe burrë.”
Brosnan e përshkruan besimin si diçka “të rrënjosur në ADN-në” e tij. Në periudhat e vuajtjeve, dyshimit dhe frikës, ai thotë se lutja ka qenë një pikë e qëndrueshme mbështetjeje.
“Duhet të kesh diçka. Për mua, ajo është Zoti, Jezusi, edukimi im katolik dhe besimi im”, ka thënë ai.
Më vonë, Brosnan gjeti sërish dashurinë me gazetaren Keely Shaye Brosnan, me të cilën u martua në vitin 2001. Çifti ka dy djem, Dylan dhe Paris.
Pavarësisht humbjeve të mëdha që ka përjetuar, aktori vazhdon ta shohë besimin si një burim force: “Zoti ka qenë i mirë me mua. Besimi im ka qenë i mirë me mua.”