Stil jete

Mënyra më e shpejtë për të qetësuar një fëmijë

Teksa ishte ulur në zyrën time, Janice tregoi një situatë që i kishte mbetur në mendje. Ishte ora 18:40 e një të marte. Ajo ndihej e acaruar sepse darka po ftohej. I tha sërish djalit të saj nëntëvjeçar, Elijah, të njëjtën fjali që ia kishte thënë edhe të martën e kaluar, me të njëjtin ton të qetë:
"Edhe pesë minuta dhe hamë."

Por këtë herë, Elijah shpërtheu.

Janice e rikthente vazhdimisht në mendje atë moment, duke kërkuar se çfarë kishte thënë "gabim". Por ajo po kërkonte në vendin e gabuar.

Duke u fokusuar te shpërthimi, humbasim fillimin e reagimit
Pas 35 vitesh pune me familje, psikologët kanë vënë re se shumica e prindërve shohin vetëm fundin e procesit.

Ajo që shohim kur një fëmijë "humb kontrollin", të bërtiturat, përplasja e derës, mbyllja e menjëhershme në vetvete, është vetëm fundi i një zinxhiri ngjarjesh.

Fillimisht vjen një nxitës i vogël, pastaj një reagim i brendshëm i padukshëm në sistemin nervor të fëmijës, i cili kalon në një gjendje ku truri nuk funksionon më në mënyrë të zakonshme dhe vetëm më pas shfaqet sjellja.

Në atë moment, përpjekjet për të shpjeguar rregullat apo për të bindur fëmijën me logjikë zakonisht nuk funksionojnë.

Jo sepse fëmija është kokëfortë, por sepse truri i tij në atë çast nuk ka më qasje të plotë te aftësia për të arsyetuar.

Fëmija merr qetësinë ose tensionin tuaj

Një gjë që shumë prindër nuk e kuptojnë është se edhe sistemi i tyre nervor po reagon automatikisht dhe fëmija e lexon këtë në kohë reale.

Përpara se fëmijët të mësojnë të vetërregullojnë emocionet e tyre, ata marrin qetësinë nga të rriturit përreth tyre. Ky proces quhet bashkë-rregullim emocional.

Truri i fëmijës lexon shprehjen e fytyrës, qëndrimin e trupit dhe tensionin tuaj shumë shpejt, shpesh përpara se të përpunojë fjalët që thoni.

Mund t'i thoni fëmijës me një zë të qetë: "Nuk jam i mërzitur", por nëse nofulla është e shtrënguar dhe shpatullat janë të tendosura, trupi i fëmijës do t'i besojë më shumë sinjaleve fizike sesa fjalëve.

Një nënë mendonte se djali i saj trevjeçar kishte "shpërthime të paparashikueshme", derisa vunë re se krizat e tij fillonin pikërisht në momentin kur trupi i saj tensionohej pak çaste para se të fliste. Ai nuk po reagonte ndaj fjalëve të saj. Po reagonte ndaj saj.

Bëhuni termostati, jo termometri i emocioneve

Kjo është ideja kryesore: prindi duhet të jetë termostati, jo termometri i emocioneve në shtëpi.

Një termometër thjesht tregon temperaturën që ekziston. Një termostat vendos temperaturën që dëshiron dhe ndihmon ambientin të përshtatet me të.

E njëjta gjë ndodh me emocionet. Nëse prindi hyn në një situatë me nervozizëm, ankth apo tension, fëmija e përthith atë gjendje. Por nëse prindi arrin të ruajë qetësinë, ai i jep sistemit nervor të fëmijës një model të ri për t'u ndjekur.

Shpesh ndryshimi më i madh nuk vjen nga gjetja e "fjalës perfekte", por nga ndryshimi i gjendjes emocionale të prindit përpara se të reagojë.