Aktualitet

Zjarri në Himarë, pas një nate të vështirë, vijon ndërhyrja nga ajri

Një natë e vështirë për Himarën, e përfshirë nga një zjarr i fuqishëm që u përhap me shpejtësi në zonën pranë bypass-it, është pasuar nga një mëngjes më i qetë, por operacioni për shuarjen e plotë të vatrave vijon.

Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së premtes dhe, i favorizuar nga era e fortë, u përhap me shpejtësi drejt zonave të banuara. Flakët rrezikuan banesa dhe biznese, ndërsa banorë dhe turistë u evakuuan nga zonat më të rrezikuara. Policia bllokoi përkohësisht qarkullimin në bypass për t’i dhënë përparësi mjeteve të emergjencës.

Raportimet e orëve të para të mëngjesit flasin për disa banesa të djegura, ndërsa numri i saktë vijon të verifikohet. Disa media raportojnë gjashtë banesa të shkatërruara, ndërsa të tjera flasin për shtatë. Gjithashtu janë raportuar dëme në biznese. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.

Sipas autoriteteve, zjarri u vu nën kontroll rreth orës 02:00, duke shmangur përparimin e mëtejshëm të flakëve drejt zonave të banuara. Në mëngjes, situata paraqitet më e qetë dhe vatrat aktive ndodhen larg qendrave të banuara.

Me zbardhjen e ditës ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, ndërsa në terren vijon puna e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të tjera të emergjencës për izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e riaktivizimit të tyre.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se gjatë natës në terren u angazhuan 171 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 10 mjete, ndërsa në gatishmëri ishin edhe mjete zjarrfikëse dhe ambulanca.

Banorët i kanë përshkruar orët e natës si momente paniku, duke treguar se flakët iu afruan banesave brenda pak minutash dhe se policia ndërhyri për t’i nxjerrë nga shtëpitë.

Ndërkohë, Himara mbetet nën monitorim, ndërsa forcat në terren vijojnë operacionin për shuarjen e çdo vatre të mbetur dhe për të garantuar që zjarri të mos rikthehet drejt zonave të banuara.