Gjyshi 60-vjeçar që u bë viral për pamjen e tij, zbulon çfarë ha gjatë një dite

Në moshën 60-vjeçare, modeli dhe fotografi nga Singapori, Chuando Tan, vazhdon të tërheqë vëmendjen për pamjen e tij jashtëzakonisht rinore. Dhe sipas tij, një pjesë e rëndësishme e kësaj lidhet me zakonet e përditshme.
Dieta e tij është më e thjeshtë nga sa mund të mendohet. Për mëngjes, Tan zakonisht ha gjashtë vezë, por vetëm dy prej tyre me të verdhë, shoqëruar me qumësht dhe, herë pas here, avokado ose manaferra.
Për drekë dhe darkë, zgjedh kryesisht mish pule ose peshk të pjekur në skarë apo të gatuar në avull, së bashku me oriz, perime dhe lëng mishi.
Tan thotë se shmang alkoolin, kafenë, duhanin dhe ushqimet ultra të përpunuara. Krahas ushqimit, ai mban një rutinë të rregullt stërvitjeje dhe kujdeset të pijë shumë ujë.
Pamja e tij ka bërë që shumë njerëz në rrjetet sociale ta quajnë “gjyshi 60-vjeçar që duket si 30-vjeçar”, ndërsa vetë Tan ia atribuon një pjesë të madhe të mirëqenies së tij disiplinës dhe zakoneve të qëndrueshme.