Evis Sala jep dorëheqjen, çfarë paralajmëron largimi i ministres për vjeshtën e qeverisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra këtë 2 shtator.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi motivet që e kanë çuar ministren drejt këtij vendimi dhe mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një zgjedhje personale apo për mosmarrëveshje brenda qeverisë.
Largimi i saj, megjithatë, nuk vjen pa paralajmërim. Gjatë verës kishin qarkulluar zëra për një dorëheqje të mundshme të Salës dhe për mosmarrëveshje me kryeministrin Edi Rama. Madje, më 6 gusht, Ministria e Shëndetësisë i përgënjeshtroi publikisht këto zëra, duke deklaruar se ministrja ishte në krye të detyrës.
Në media u raportua gjithashtu për rezerva të ministres ndaj një projekti për administrimin e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar që e lidh dorëheqjen e sotme me këtë çështje.
Evis Sala kishte ardhur në qeveri vetëm një vit më parë, në shtator 2025, pas një karriere të gjatë ndërkombëtare në mjekësi dhe akademi, mes Universitetit të Kembrixhit, Memorial Sloan Kettering Cancer Center në New York dhe Policlinico Gemelli në Romë. Vetë Rama, kur e prezantoi si ministre, e cilësoi karrierën e saj si një ndër më mbresëlënëset mes profesionistëve shqiptarë jashtë vendit.
Pikërisht për këtë arsye, dorëheqja e saj pas vetëm një viti në detyrë ngre edhe një pyetje politike: është ky një largim i izoluar apo sinjali i parë i lëvizjeve të vjeshtës në kabinetin Rama?
Tashmë pritet jo vetëm emri që do të marrë drejtimin e Shëndetësisë, por edhe nëse kryeministri do ta përdorë këtë moment për ndryshime të tjera në qeveri.