Aktualitet

Ndryshojnë kriteret për Policinë, rritet kufiri i moshës 

Kufiri i moshës për t’u pranuar në Policinë e Shtetit është rritur. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur ndryshimet që zgjerojnë mundësitë për kandidatët që duan t’i bashkohen strukturave të policisë.

Sipas kritereve të reja, personat me arsim të mesëm mund të aplikojnë deri në 35 vjeç për role zbatuese, përfshirë Patrullën e Përgjithshme. Po 35 vjeç është edhe kufiri për ata që duan të ndjekin Bachelorin në Akademinë e Sigurisë dhe më pas të marrin gradën nënkomisar.

Për profesionistët me arsim të lartë, kufiri shkon deri në 40 vjeç, për profile si ekonomi, financë, teknologji informacioni dhe fusha të tjera të përshtatshme.

Ndërkohë, punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë nuk do të kenë kufizim moshe, nëse plotësojnë kriteret dhe procedurat e pranimit.

Sipas ministrit Lamallari, ndryshimet synojnë të krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, duke vlerësuar krahas moshës edhe arsimimin, kualifikimet dhe përvojën profesionale.