Aktualitet

Kush është Sofia Moreira de Sousa, ambasadorja e re e BE në Tiranë

Diplomatja portugeze Sofia Moreira de Sousa ka marrë zyrtarisht detyrën si ambasadore e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, pas dorëzimit të kredencialeve te Presidenti Bajram Begaj.

Ajo zëvendëson italianin Silvio Gonzato, i cili përfundoi mandatin në krye të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Moreira de Sousa u emërua më 4 qershor 2026 nga Kaja Kallas, në kuadër të rotacionit diplomatik të BE-së. Para ardhjes në Shqipëri, ajo drejtonte Përfaqësinë e Komisionit Evropian në Portugali, ndërsa më herët ka shërbyer si ambasadore e BE-së në Kepin e Gjelbër dhe në poste të tjera diplomatike.

Në deklaratat e saj para nisjes drejt Tiranës, diplomatja portugeze ka vënë në dukje rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Marrja e detyrës vjen në një periudhë të ndjeshme politike për Shqipërinë, ndërsa vendi vijon procesin e integrimit në BE.