Të dërguarit e presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u takuan të dielën në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të përpjekjeve të administratës së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila vijon prej rreth katër vitesh e gjysmë.
Dy përfaqësuesit amerikanë mbërritën në Kiev nga Moska, fillimisht me avion drejt Polonisë dhe më pas me tren drejt kryeqytetit ukrainas. Një ditë më parë, ata zhvilluan një takim rreth tre orë me presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, pas bisedimeve në Moskë nuk ka pasur deri tani shenja për ndonjë përparim të rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e paqes.
Zelensky i priti Witkoff dhe Kushner pranë Katedrales së Shën Sofisë, në qendër të Kievit, jo shumë larg zonës ku të premten u rrëzua një dron rus, i cili dyshohet se kishte si objektiv zyrat e shërbimeve ukrainase të sigurisë.
Para takimit, Zelensky deklaroi se Ukraina është “e gatshme ta afrojë fundin e luftës”.
Raundet e mëparshme të negociatave, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe të mbështetura nga presidenti Donald Trump, kanë prodhuar deri tani rezultate të kufizuara. Trump kishte premtuar gjatë fushatës presidenciale se do t’i jepte fund shpejt luftës në Ukrainë.
Të premten, presidenti amerikan la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara kanë një propozim të ri për t’i dhënë shtysë procesit të paqes, por nuk bëri publike detaje të mëtejshme.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi takimin e zhvilluar një ditë më parë me Witkoff dhe Kushner si “jashtëzakonisht të dobishëm”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters se hapat e ardhshëm në kuadër të këtij procesi pritet të bëhen të ditur gjatë javëve në vijim.
© SYRI.net