SPAK zgjeron veprimet hetimore ndaj Ballukut, 9 agjentë të BKH-së në terren

Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, e cilëson dosjen me prioritetin më të lartë dhe thotë se një kërkesë e re për masë sigurie do të varet nga zhvillimet e hetimit.

358
Balluku Vila Dhërmi
Credits: shteg.org - Balluku Vila Dhërmi

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka intensifikuar hetimet për çështjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke zhvilluar kontrolle në disa ambiente, ndërsa kreu i institucionit, Klodian Braho, e ka cilësuar dosjen si një nga hetimet me prioritetin më të lartë të SPAK-ut.

Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zbatuar urdhra kontrolli të firmosur nga gjyqtari i hetimeve paraprake në banesa, zyra dhe ambiente të tjera, në kërkim të provave të reja që, sipas hetuesve, mund të lidhen me dyshimet e ngritura gjatë procedurës penale.

I pyetur nga gazetarët mbi kontrollet e zhvilluara në kuadër të çështjes Balluku, Braho nuk dha detaje mbi objektin konkret të veprimeve hetimore, duke argumentuar se hetimi është ende në vijim.

“Kjo është një çështje nën hetim dhe nuk mund të jap informacion. Është çështja me prioritetin më të lartë për SPAK-un dhe për këtë çështje janë angazhuar 9 oficerë të BKH-së dhe dy prokurorë. Kontrollet e zhvilluara sot janë pjesë e vijimit të hetimeve”, tha Braho.

Sipas kryeprokurorit, hetimet janë duke vijuar dhe dosja është “e ngjeshur”, me një numër të konsiderueshëm veprimesh hetimore të kryera dhe ende në zhvillim.

“Kur hetimi të përfundojë, do të jemi në gjendje të japim një panoramë më të plotë mbi çështjen”, tha kreu i SPAK-ut.

Duke komentuar vendimin e Kuvendit për të mos miratuar kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut, Braho tha se ky vendim nuk ka ndaluar hetimet.

“Hetimet, edhe pas atij vendimi, kanë vijuar me intensitet dhe kanë avancuar më tej. Nuk mund të them nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re. Vendimmarrja do të varet nga rrethanat e hetimit, rezultatet që do të kemi dhe fakti që Parlamenti ka marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme. Ne nuk mund të rikthehemi sërish me të njëjtat prova”, tha ai.

Sipas Brahos, hetimet kanë vijuar dhe kanë avancuar edhe pas vendimit të Parlamentit. Ai nuk përjashtoi mundësinë e një kërkese të re për masë sigurie, duke e lidhur atë me zhvillimet e reja në dosje.

“Nëse do të bëhet apo jo një kërkesë e re, kjo do të jetë një vendimmarrje e përbashkët. Do të varet nga rrethanat e reja që kanë dalë ose mund të dalin gjatë hetimit”, tha kryeprokurori.

Belinda Balluku po hetohet nga SPAK-u për dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera. Hetimi është zgjeruar përtej akuzës fillestare për procedura prokurimi, duke përfshirë edhe dyshime për korrupsion pasiv të zyrtarëve publikë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Në kuadër të hetimit, SPAK-u ka kërkuar dhe siguruar sekuestrimin preventiv të një vile dykatëshe në resortin “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, me vlerë kontraktuale rreth 145 mijë euro. Prokuroria dyshon se kjo pasuri mund të lidhet me përfitime të parregullta nga një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Albcontrol, institucion që drejtohej nga Balluku në periudhën objekt hetimi.

Hetimi lidhet ndër të tjera me tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, me fond limit rreth 88.6 milionë lekë, si dhe me një shtesë kontrate prej mbi 14 milionë lekësh pa TVSH.

SPAK-u ka deklaruar më herët se gjatë hetimeve janë administruar materiale dixhitale, të dhëna të siguruara përmes metodave speciale të hetimit, analiza komunikimesh telefonike dhe dëshmi personash të lidhur me administrimin ose përdorimin e pasurisë së sekuestruar.

Belinda Balluku u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK-u më 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Por, sipas dokumenteve dhe njoftimit të SPAK-ut, hetimi është zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përfshin pothuajse të gjitha investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë – Kashar, me vlerë të parashikuar rreth 245 milionë euro.

Më 16 dhjetor 2025, SPAK-u kërkoi heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, për t’i hapur rrugë masës së arrestit ndaj saj, por pas një zvarritjeje prej 3 muajsh, socialistët, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, rrëzuan kërkesën e SPAK-ut.

Balluku ka mohuar akuzat dhe ka kundërshtuar masat e marra ndaj saj. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga ushtrimi i funksioneve, ndërsa ndaj saj vijon të jetë në fuqi edhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.

Xhesika TolliaXhesika Tollia

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.