Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zëvendësoi të premten, më 31 korrik 2026, masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me “arrest në shtëpi”, pasi konstatoi se kishte përfunduar afati maksimal ligjor i paraburgimit.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pas një kërkese të paraqitur nga mbrojtja e Beqajt. Gjykata vlerësoi se masa e mëparshme e sigurisë kishte humbur fuqinë për shkak të kalimit të afatit të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale dhe urdhëroi lirimin e tij nga paraburgimi, duke e lënë në arrest shtëpie.
Sipas nenit 263 të Kodit të Procedurës Penale, paraburgimi pushon së prodhuari efekte kur tejkalohen afatet maksimale të parashikuara me ligj, nëse procesi gjyqësor nuk ka përfunduar. Çështja penale ndaj Beqajt dhe të pandehurve të tjerë ishte dërguar për gjykim një vit më parë, por më 27 korrik Gjykata e Posaçme vendosi ta kthente dosjen në Prokurorinë e Posaçme për kryerjen e hetimeve plotësuese, duke lënë afat deri më 30 tetor për përmbushjen e detyrave hetimore.
Për të njëjtën arsye ligjore, një ditë më parë, gjykata shfuqizoi masën e paraburgimit edhe për të pandehurin tjetër në këtë procedim, Ermal Kurtulaj.
Beqaj ndodhej në paraburgim që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në kuadër të hetimeve për administrimin e fondeve të Bashkimit Evropian në programin EUSAIR dhe projektet e menaxhuara nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), të cilën ai e drejtonte pas largimit nga posti i ministrit.
Sipas SPAK-ut, gjatë viteve 2022–2023, Beqaj dyshohet se organizoi procedura fiktive prokurimi dhe favorizoi tenderë të paracaktuar për aktivitete të financuara nga fondet e Bashkimit Evropian. Prokuroria pretendon se një pjesë e shërbimeve të kontraktuara ekzistonin vetëm në dokumentacion, ndërsa fondet përfitoheshin në mënyrë të paligjshme përmes faturave fiktive dhe kompanive të përfshira në skemë.
Hetimet e SPAK-ut kanë identifikuar të paktën tetë procedura prokurimi të lidhura me konferenca dhe aktivitete të programit EUSAIR, të cilat, sipas akuzës, janë zhvilluar në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian për administrimin e fondeve IPA. Sipas prokurorisë, fituesit e këtyre procedurave ishin përcaktuar paraprakisht.
Ndaj ish-ministrit janë ngritur akuza për korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe fshehje të pasurisë. SPAK-u pretendon gjithashtu se Beqaj ka fshehur interesa financiare në restorantin “Gzona”, si edhe pasuri të tjera që nuk janë deklaruar sipas detyrimeve ligjore.
Përveç kësaj dosjeje, Beqaj është marrë i pandehur edhe në çështjen e koncesionit të sterilizimit, ku akuzohet për shpërdorim detyre gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Në të njëjtin procedim penal për çështjen SASPAC janë marrë të pandehur edhe disa ish-zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të dyshuar, si dhe dy shoqëri tregtare, për akuza që lidhen me korrupsionin, mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve dhe shkeljet në procedurat e prokurimit publik.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























