Një fluturim mbi centralin bërthamor çoi në arrestimin e “fantazmës” së SPAK

Një shkelje e hapësirës ajrore mbi centralin Penly zbuloi vendndodhjen e biznesmenit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u për dosjen e tenderëve shumëmilionësh të AKSHI-t.

327
Kutia e Pandorës së AKSHI-t
Credits: shteg.org - Kutia e Pandorës së AKSHI-t

Arrestimi i biznesmenit shqiptar Ermal Beqiraj në Francë nuk erdhi si rezultat i një operacioni të planifikuar për kapjen e një personi në kërkim ndërkombëtar. Ai nisi me një incident ajror mbi një nga objektet më të mbrojtura të Francës dhe përfundoi me zbulimin se piloti ishte një nga personat e kërkuar nga SPAK-u për dosjen e tenderëve të AKSHI-t.

Autoritetet franceze e ndaluan Beqirajn pasi avioni i vogël që ai pilotonte hyri në hapësirën e mbrojtur ajrore mbi centralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime të Normandisë. Penly nuk është një central i zakonshëm. Përveç dy reaktorëve ekzistues, aty po ndërtohen dy reaktorët e rinj EPR-2, projekti më ambicioz bërthamor i Francës dhe një nga investimet strategjike të Evropës në sektorin e energjisë.

Sipas raportimeve të medias franceze Le Journal du Dimanche, gjatë kontrollit fizik ndaj Beqirajt u gjetën tre pajisje gjurmuese Apple AirTag të fshehura në veshjet e tij. Hetuesit francezë e konsideruan këtë një element të pazakontë dhe, sipas medias, po shqyrtojnë mundësinë që ai të ketë vepruar nën udhëzimet ose presionin e personave të tjerë. Deri tani, autoritetet franceze nuk kanë bërë publike përfundime zyrtare mbi këtë aspekt të hetimit.

Fluturimi mbi centralin  bërthamor

Pamje e centralit bërthamor Penly, në komunën Petit-Caux, në departamentin Seine-Maritime të FrancësPamje e centralit bërthamor Penly, në komunën Petit-Caux, në departamentin Seine-Maritime të Francës
Credits: AFP – Pamje e centralit bërthamor Penly, në komunën Petit-Caux, në departamentin Seine-Maritime të Francës

Në pamje të parë, dukej si një incident rutinë i sigurisë ajrore. Një avion i vogël civil hyri në hapësirën e mbrojtur mbi centralin bërthamor Penly, në veri të Francës.

Sipas raportimeve, Beqiraj po pilotonte një avion të vogël civil. Fillimisht ai fluturonte në një lartësi prej rreth 3,700 këmbësh (afërsisht 1,200 metra), por më pas uli avionin në rreth 3,500 këmbë, duke hyrë nën kufirin minimal të lejuar për fluturimet mbi zonën e mbrojtur ajrore të centralit.

Shkelja aktivizoi menjëherë protokollet e sigurisë franceze.

Forcat Ajrore dhe Hapësinore të Francës ngritën në ajër një avion ushtarak, i cili shoqëroi avionin civil deri në aeroportin e Albertit, në departamentin Somme. Në pistë e prisnin policia dhe xhandarmëria.

Por kontrolli i identitetit ndryshoi krejt natyrën e çështjes. Piloti ishte Ermal Beqiraj, biznesmen shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai nuk kërkohej për shkelje të rregullave të aviacionit, por si një nga personat kyç në dosjen që lidhet me tenderët shumëmilionë euro të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Verifikimi i identitetit zbuloi se Ermal Beqiraj ishte në listën e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare, çka çoi në ndalimin e tij nga autoritetet franceze.

Arrestimi i tij nuk ishte rezultat i një operacioni të koordinuar për kapjen e një të kërkuari. Ai erdhi rastësisht, pas një shkeljeje që alarmoi autoritetet franceze dhe çoi në verifikimin e identitetit të pilotit.

Sipas raportimeve të medias franceze, Beqiraj po pilotonte vetë avionin kur hyri në zonën e mbrojtur të centralit Penly, një prej infrastrukturave më strategjike të Francës. Objekti nuk është vetëm një central bërthamor në funksion; aty po ndërtohen edhe dy reaktorët EPR-2, projekti më ambicioz i energjisë bërthamore franceze.

Autoritetet franceze ndërhynë menjëherë dhe, pas uljes së detyruar, hetuesit zbuluan edhe një element tjetër të pazakontë. Gjatë kontrollit fizik, sipas mediave franceze, Beqirajt iu gjetën tre pajisje Apple AirTag të fshehura në veshje. Nuk është bërë publike pse ai mbante tre pajisje të tilla dhe autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për rëndësinë e këtij zbulimi.

Mediat franceze raportojnë se hetuesit po shqyrtojnë nëse piloti mund të ketë qenë nën udhëzimet e personave të tjerë. Vetë Beqiraj ka deklaruar se gjithçka ishte një gabim, duke pretenduar se në momentin e incidentit po fliste në telefon me nënën e tij.

Pavarësisht këtij shpjegimi, gjatë verifikimit të identitetit, autoritetet franceze zbuluan se piloti ishte Ermal Beqiraj, një biznesmen shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Për shkeljen e rregullave të fluturimit mbi centralin bërthamor, gjykata franceze e dënoi Beqirajn me një gjobë prej 7 mijë eurosh.

Më pas, ai iu dorëzua Zyrës Qendrore Franceze për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO), ndërsa procedurat tashmë janë përqendruar në zbatimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Shqipëria.

Policia e Shtetit konfirmoi se arrestimi u realizua pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ndaj Beqirajt Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për një sërë veprash penale, përfshirë heqjen e paligjshme të lirisë, konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, shkeljen e barazisë në tenderët publikë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Njeriu që kërkonte SPAK

Ermal BeqiriErmal Beqiri
Credits: LinkedIn – Ermal Beqiri

Në Shqipëri, Ermal Beqiraj nuk është një emër i panjohur për hetuesit. Ai është pronar i kompanisë “Soft & Solutions”, një nga subjektet që SPAK-u e përfshin në hetimin për tenderët e AKSHI-t. Në këtë dosje, prokuroria pretendon se një grup personash manipulonte procedurat e prokurimit publik për të favorizuar kompani të caktuara.

Sipas akuzës, konkurrenca nuk eliminohej përmes ofertave më të mira, por nëpërmjet kërcënimeve, presionit dhe marrëveshjeve që deformonin garën.

Për këtë arsye, ndaj Beqirajt janë ngritur akuza për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe, në vijim të hetimeve, edhe korrupsion.

Një pjesë e rëndësishme e hetimit nuk lidhet vetëm me mënyrën se si janë fituar kontratat publike, por edhe me destinacionin e përfitimeve që dyshohet se burojnë prej tyre. Në kuadër të këtij procedimi penal, autoritetet shqiptare kanë sekuestruar dhjetëra pasuri që dyshohet se lidhen me Beqirajn. Mes tyre janë prona në Tiranë, Vlorë dhe Golem, një truall në resortin Green Coast, një vilë në Rolling Hills, automjete, biznese dhe llogari bankare.

Në listën e pasurive bie në sy edhe jahti luksoz “Predator 50 Skyfall”, me vlerë rreth një milion euro. Sipas SPAK-ut, ai rezultonte në pronësi të një punonjëseje të kompanisë “Soft & Solutions”, ndërsa hetuesit dyshojnë se kontrolli real i pasurisë i përkiste Beqirajt.

Hetimet pretendojnë se përfaqësues të kompanive rivale janë kërcënuar për t’u tërhequr nga garat, duke favorizuar kompaninë e Beqirajt në fitimin e tenderëve.

Sipas akuzës, procedurat e prokurimit paracaktonin fituesit përmes eliminimit të konkurrencës, përdorimit të operatorëve ekonomikë fiktivë, ofertave formale dhe presionit ndaj kompanive rivale për të mos kundërshtuar rezultatet.

Dokumentet hetimore përmendin tenderë me vlerë të paktën 57 milionë euro që dyshohet se janë paracaktuar në një periudhë më pak se njëvjeçare, ndërsa raporti i KPP-së evidenton se në nivel kombëtar shkeljet e konstatuara lidhen me tenderë me vlerë mbi 343 milionë euro, ku AKSHI rezulton një nga institucionet më problematike.

Në dokumentet hetimore të SPAK-ut, Beqiraj nuk paraqitet si një biznesmen që vepron i izoluar.

Prokuroria e konsideron atë pjesë të një grupi të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se ndërhynte në procedurat e prokurimit publik. Në raportimet mediatike, ai është përshkruar gjithashtu si një person me lidhje të afërta me Ergys Agasin, një figurë që përmendet në disa prej hetimeve më të rëndësishme të SPAK-ut mbi korrupsionin dhe ndikimin në administratën publike.

Në të njëjtën dosje, SPAK-u ka ngritur akuza edhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe ndaj Ergys Agasit dhe personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në manipulimin e procedurave të prokurimit dhe favorizimin e operatorëve të caktuar.

Suada XhametaSuada Xhameta

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.