I pandehur nga SPAK për korrupsion në zgjedhje, Kristian Shkreli dëshmon në GJKKO: Nuk kam premtuar apo ofruar asgjë në këmbim të votës.
Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i pandehur nga SPAK-u për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, u pyet këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.
Gjatë dëshmisë, Shkreli mohoi akuzat se ka ofruar përfitime materiale në këmbim të votës, duke deklaruar se ndërhyrjet për zgjidhjen e problematikave me energjinë elektrike në fshatin Stajkë kanë qenë pjesë e detyrës së tij si kryebashkiak.
“Nuk kam ofruar dhe nuk kam premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte probleme me energjinë elektrike që nga viti 2019. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve. Mund të jem edhe sot në përgjim, dje kam marrë një drejtor tjetër sepse kishte problem me dritat në një fshat tjetër. Marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematika dhe më vijnë ankesa”, deklaroi Shkreli.
Ai u ndal edhe te një nga përgjimet e administruara nga SPAK-u, ku, sipas Prokurorisë, ai përdor shprehjen “jepi zjarr”.
“Mesazhi që Prokuroria thotë ‘jepi zjarr’ ka të bëjë me faktin që kam kërkuar që në takimin elektoral, që ishte lënë të zhvillohej, të kishte brohoritje dhe ovacione. Nuk kam kërkuar vota dhe as kam ofruar të mira materiale apo vende pune”, u shpreh ai.
Shkreli shtoi se kishte kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe në mitingjet elektorale.
“Kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si te ai i PS-së ashtu edhe te ai i PSD-së. Ka qenë situatë e tensionuar. Telefoni nuk më pushonte nga ankesat e banorëve. Ata kishin dy javë pa energji elektrike”, tha ai.
Duke iu referuar një tjetër fraze të përmendur nga Prokuroria, sipas së cilës ai u kishte thënë banorëve “ua kam dhënë unë lekët”, Shkreli deklaroi se bëhej fjalë për një mënyrë komunikimi për t’i bindur qytetarët se problemi do të zgjidhej.
“E kam thënë për t’i bindur qytetarët që defekti i linjës do të rregullohej, por nuk i kam dhënë asnjë lek OSHEE-së”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku foli edhe për kontrollin e ushtruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Agjentët e BKH-së erdhën në banesën dhe lokalin tim. Kishte shumë forca policie. Më kontrolluan dhe më morën telefonin që kisha në dorë. Më pyetën për fjalëkalimin dhe ua dhashë menjëherë”, tha Shkreli.
Gjatë seancës, prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, i lexoi disa komunikime të sekuestruara nga telefoni i tij.
Sipas prokurorit, në një prej bisedave Shkreli i thotë një bashkëbiseduesi se: “Të martën e ke të kryme, veç shife mos po na vonon. Veç për Tomën zjarr, si me qenë për mua jua di për nder”, duke e pyetur se çfarë nënkuptonte kjo bisedë.
Po ashtu, prokurori solli në vëmendje edhe një tjetër komunikim ku thuhej se “nuk e presim dot shtetin se shteti është në terezi”, si dhe një mesazh tjetër ku thuhej se “sot më prunë preventivin”, duke e pyetur se cilës punë i referoheshin këto biseda.
Në përgjigje, Shkreli këmbënguli se bëhej fjalë për batuta dhe përpjekje për të bindur banorët se problemi i energjisë do të zgjidhej.
“E kam thënë si batutë, për t’i mbushur mendjen që këtë problem po e zgjidhja unë. Fjalën ‘zjarr’ e kisha që në mitingun e Tom Doshit të vinin sa më shumë njerëz”, deklaroi ai.
SPAK-u akuzon Kristian Shkrelin për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Ai u mor zyrtarisht i pandehur më 3 tetor, me akuzën se u kishte ofruar banorëve të fshatit Stajkë të mira materiale në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Shkreli ndërtoi rrjetin elektrik në fshatin Stajkë gjatë fushatës elektorale dhe e përdori këtë investim si mjet për të ndikuar te votuesit në favor të PSD-së.
Nga hetimet rezulton se ai dyshohet se ka shfrytëzuar funksionin e kryetarit të bashkisë dhe nevojat e banorëve për furnizim me energji elektrike, duke kërkuar në këmbim mbështetje me votë për Partinë Socialdemokrate.
Në muajin maj, me urdhër të GJKKO-së, agjentët e BKH-së ushtruan kontroll ndaj Shkrelit dhe sekuestruan telefonin e tij celular. SPAK-u ka sekuestruar gjithashtu telefonat e disa eksponentëve të tjerë të PSD-së, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.























