Krimi i organizuar, korrupsioni dhe dobësitë institucionale vijojnë të jenë ndër sfidat kryesore për Shqipërinë, sipas raportit të fundit të publikuar nga Overseas Security Advisory Council (OSAC), organ këshillimor i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili analizon klimën e sigurisë dhe rreziqet për qytetarët dhe bizneset amerikane që operojnë jashtë vendit.
Raporti evidenton se kriminaliteti në Shqipëri është rritur me rreth 17% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024, një rritje që lidhet kryesisht me shtimin e veprave penale të lidhura me drogën, mashtrimin dhe armët.
“Shkalla e përgjithshme e kriminalitetit në Shqipëri u rrit me rreth 17% nga viti 2024 në vitin 2025, ndërsa rritja u nxit kryesisht nga shtimi i krimeve të lidhura me drogën, mashtrimin dhe veprat penale që lidhen me armët”, thuhet në raport.
Megjithatë, dokumenti thekson se disa kategori të kriminalitetit kanë shënuar përmirësim. Grabitjet kanë ardhur në rënie, ndërsa krimet e dhunshme, përfshirë vrasjet, kanë vijuar të ulen për të pestin vit radhazi.
Raporti nënvizon se rrjetet e krimit të organizuar në Shqipëri mbeten aktive në trafikun ndërkombëtar të drogës, pastrimin e parave, zhvatjen, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe aktivitete të tjera kriminale.
“Krimi i organizuar vazhdon të ketë një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri, ku veprojnë rrjete organizatash kriminale të përfshira në trafikun e drogës, zhvatje, ryshfet, pastrim parash, shfrytëzim për prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore”, thuhet në raport.
Prej më shumë se një dekade, raportet e institucioneve amerikane dhe evropiane kanë evidentuar rolin e grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, veçanërisht në korridoret që lidhin Ballkanin me Evropën Perëndimore.
Megjithatë, raporti i OSAC vlerëson se autoritetet shqiptare kanë rritur përpjekjet për goditjen e këtyre rrjeteve përmes forcimit të kapaciteteve policore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Sipas dokumentit, mbeten ende sfida të rëndësishme, përfshirë mungesën e burimeve njerëzore, korrupsionin dhe koordinimin e pamjaftueshëm ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit.
Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një vend origjine ose tranziti për armë ilegale që qarkullojnë në Evropë.
Ndërsa pranon përpjekjet e autoriteteve shqiptare për forcimin e kapaciteteve të policisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, OSAC vëren se mbeten ende probleme që lidhen me mungesën e burimeve njerëzore, korrupsionin dhe koordinimin e pamjaftueshëm ndërinstitucional.
Korrupsioni dhe klima e investimeve


Përtej çështjeve të sigurisë dhe kriminalitetit, një nga temat kryesore të raportit të OSAC lidhet me korrupsionin dhe ndikimin e tij në funksionimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik dhe klimën e investimeve në Shqipëri.
Raporti pranon se vendi ka ndërmarrë hapa për forcimin e kuadrit ligjor kundër korrupsionit dhe dokumenti vlerëson rolin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke theksuar se krijimi i saj në vitin 2019 ka sjellë një rritje të hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë.
Megjithatë, OSAC nënvizon se korrupsioni vijon të mbetet një nga problemet më serioze që pengon konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Shqipëria ka një kuadër ligjor të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar konfliktin e interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre. Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është në rritje; megjithatë, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ende janë në gjendje t’i shmangen ndjekjes penale”, thuhet në raport.
Dokumenti thekson gjithashtu se korrupsioni nuk kufizohet vetëm në nivelet politike, por prek edhe fusha të tjera të administrimit publik, përfshirë sistemin gjyqësor, administratën shtetërore, prokurimet publike dhe institucionet që lidhen me zbatimin e ligjit.
Sipas raportit, investitorët e huaj vazhdojnë të shohin korrupsionin, mungesën e transparencës, konkurrencën e dobët dhe pasigurinë juridike si disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë negativisht në vendimmarrjen e tyre për të investuar në Shqipëri.
“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, duke përfshirë atë në sistemin gjyqësor, në qeveri, në prokurimet publike dhe në media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri”, thekson raporti.
Sipas OSAC, ndër shqetësimet kryesore për bizneset ndërkombëtare mbeten edhe ndikimi i interesave të fuqishme politike dhe ekonomike, të cilat mund të ndikojnë në proceset vendimmarrëse dhe në krijimin e një tregu jo të barabartë për operatorët ekonomikë.
Gjetjet e raportit të OSAC kanë sjellë reagime edhe në skenën politike shqiptare. Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, e konsideroi raportin një sinjal të rëndësishëm për institucionet shqiptare dhe për mënyrën se si perceptohet vendi nga investitorët ndërkombëtarë.
“Raporti evidenton korrupsionin në gjyqësor, në administratën shtetërore dhe në prokurimet publike, krahas mungesës së transparencës dhe konkurrencës, informalitetit të lartë dhe vështirësive në zbatimin e kontratave”, – shkroi Tabaku.
Sipas saj, investitorët duhet të kenë mundësi të hyjnë në tregun shqiptar pa pasur nevojë për lidhje politike, por vetëm mbi bazën e konkurrencës së lirë dhe një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik.
Raporti i OSAC ndalet gjithashtu te zhvillimet politike dhe siguria kombëtare. Dokumenti vëren se protestat në Shqipëri mbeten të shpeshta dhe sjell si shembull protestat kundër projektit të resortit turistik në Sazan, të cilat nisën me fokus mjedisor, por më pas morën përmasa kombëtare dhe u kthyen në protesta kundër korrupsionit qeveritar.
Në kapitullin mbi kërcënimet e sigurisë, OSAC thekson se Shqipëria nuk ka përjetuar sulme terroriste të suksesshme gjatë dekadës së fundit, por mbetet objektiv i sulmeve kibernetike nga aktorë shtetërorë.
“Shqipëria është objektiv i sulmeve kibernetike keqdashëse të kryera nga aktorë shtetërorë, përfshirë Iranin dhe Rusinë”, thuhet në raport, sipas të cilit, gjatë vitit 2026, Irani kreu sulme kibernetike ndaj faqeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare.
OSAC paralajmëron se sulme të tilla mund të cenojnë infrastrukturën kritike dhe funksionimin e shërbimeve publike, duke krijuar pasoja të gjera për vendin.
Megjithëse Tirana klasifikohet si zonë me rrezik mesatar për terrorizmin ndaj interesave amerikane, raporti thekson se Shqipëria nuk ka përjetuar asnjë sulm terrorist të suksesshëm gjatë dekadës së fundit.
Në përfundim të analizës së tij, raporti i OSAC paraqet një panoramë ku Shqipëria ka bërë hapa përpara në disa fusha, por përballet ende me sfida të rëndësishme që lidhen me forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
Megjithatë, sipas raportit, dobësitë institucionale, ndikimi i interesave të fuqishme ekonomike dhe politike, mungesa e transparencës dhe problemet me zbatimin e ligjit vijojnë të mbeten pengesa të rëndësishme.
Pikërisht këtë dimension të raportit e ka vënë në dukje edhe deputetja Jorida Tabaku, e cila ka argumentuar se sfida më e madhe për Shqipërinë nuk është vetëm kriminaliteti apo siguria fizike, por krijimi i një shteti ku institucionet funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe të parashikueshme.
“Shqipëria ka nevojë për një shtet ku sundon ligji, jo ligjet me porosi; për një qeverisje që punon për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.


























