Policia arreston 14 protestues pas përplasjes pranë Kryeministrisë

Protestat kundër qeverisë vijojnë prej më shumë se tre muajsh, ndërsa opozita akuzon policinë për përdorim të dhunës dhe qeverinë për përpjekje për të frikësuar protestuesit.

341
Përplasja mes Policisë dhe protestuesve në Kryeministri
Credits: LSA - Përplasja mes Policisë dhe protestuesve në Kryeministri

Policia e Tiranës arrestoi 14 persona dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë tre të tjerë pas përplasjes me protestuesit pranë Kryeministrisë, duke i akuzuar për bllokimin e hyrje-daljeve të godinës dhe kundërshtimin e forcave të rendit.

Sipas policisë, protestuesit u zhvendosën të martën në mbrëmje drejt rrugës “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, ku bllokuan hyrje-daljet e godinës dhe qarkullimin e mjeteve.

Policia tha se në atë moment në Kryeministri ndodheshin “personalitete të larta shtetërore”, pa dhënë detaje mbi identitetin e tyre.

Forcat e rendit vendosën një kordon sigurie dhe u kërkuan protestuesve për rreth 30 minuta, përmes megafonëve, të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën. Sipas policisë, një pjesë e tyre refuzoi dhe kundërshtoi fizikisht ndërhyrjen e efektivëve.

Policia tha se disa protestues shtynë dhe goditën punonjës të saj gjatë përpjekjeve për të liruar rrugën dhe hyrjet e institucionit. Nuk pati njoftime zyrtare për persona të lënduar apo për dëme materiale gjatë përplasjes.

Katërmbëdhjetë persona, të moshës 22 deri në 52 vjeç, u arrestuan në flagrancë, ndërsa tre të tjerë, 47, 54 dhe 56 vjeç, u proceduan në gjendje të lirë, sipas policisë.

Materialet e procedimit iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik, prishjes së qetësisë publike dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Përplasje mes policisë dhe opozitës

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar versionin e policisë dhe e kanë akuzuar atë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tha jashtë Komisariatit nr. 3 se ndalimet dhe dhuna ndaj protestuesve po vazhdonin, ndërsa kërkoi më shumë transparencë mbi mënyrën se si ishin kryer arrestimet.

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha se disa prej protestuesve kishin shenja dhune në trup dhe i akuzoi autoritetet për ndalimin e personave që, sipas tij, po ushtronin të drejtën për të protestuar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi ndërhyrjen si përpjekje për të frikësuar kundërshtarët politikë të qeverisë dhe kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar.

Policia nuk ka dhënë një përgjigje të detajuar ndaj akuzave të opozitës për dhunë gjatë ndërhyrjes.

Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë vijuar prej më shumë se tre muajsh në Tiranë dhe janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Qeveria dhe kryeministri i kanë kundërshtuar akuzat.

Lëvizja është përshkruar si “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar intensifikimin e protestave gjatë muajit shtator.

Protestat nisën në Tiranë pas dhunimit të disa qytetarëve që kundërshtuan zhvillimin turistik që përfshin ishullin e Sazanit dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.

Projekti është lidhur publikisht me Jared Kushner, ndërsa qeveria shqiptare ka miratuar lejet e zhvillimit për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.

Rama e ka mbështetur projektin, duke e paraqitur si një investim strategjik për turizmin dhe duke thënë se negociatat për të kishin nisur në vitin 2023.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka konfirmuar një hetim mbi ndryshimet e statusit të mbrojtjes së zonës dhe të pronësisë së tokës gjatë vitit 2024, të cilat i hapën rrugë zhvillimit të projektit.

Xhesika TolliaXhesika Tollia

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.