Grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi të mërkurën se ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin që ratifikon marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara për blerjen e pajisjeve ushtarake, duke kërkuar shfuqizimin e tij me argumentin se është miratuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Marrëveshja financohet në kuadër të programit amerikan të Financimit të Jashtëm Ushtarak (Foreign Military Financing – FMF) dhe u miratua nga Kuvendi të hënën me procedurë të përshpejtuar. Qeveria ka deklaruar se fondi do të shlyhet përgjatë 12 viteve dhe do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura, në një kohë kur Shqipëria synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse dhe të presë një samit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Opozita nuk mori pjesë në votim, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur për miratimin e marrëveshjes.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, tha se Partia Demokratike mbështet në parim marrëveshjen me SHBA-në, por kundërshton mënyrën se si ajo u ratifikua nga Kuvendi.
Sipas Bardhit, projektligji u fut në rendin e ditës dhe u miratua brenda të njëjtës ditë, pa respektuar afatet kushtetuese dhe procedurat parlamentare që garantojnë shqyrtimin e plotë të një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, deputetët demokratë pretendojnë se janë shkelur shtatë dispozita të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit. Ata argumentojnë se deputetët nuk patën kohë të njiheshin me tekstin e marrëveshjes dhe dokumentacionin financiar, si dhe iu mohua e drejta për debat dhe paraqitje amendamentesh.
Sipas opozitës, qeveria krijoi artificialisht kushtet për një procedurë urgjente, megjithëse marrëveshja ishte miratuar në parim më shumë se një muaj më parë. Bardhi tha gjithashtu se ratifikimi i menjëhershëm i marrëveshjes i privoi deputetët nga mundësia për të kërkuar kontroll kushtetues përpara hyrjes së saj në fuqi.
Një tjetër argument i opozitës lidhet me klasifikimin konfidencial të marrëveshjes. Sipas Bardhit, mungesa e publikimit të plotë në Fletoren Zyrtare ngre pikëpyetje mbi përputhshmërinë e procedurës me kërkesat kushtetuese për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Partia Demokratike publikoi gjithashtu të dhëna sipas të cilave vetëm 27 nga 140 deputetët kishin nënshkruar deklaratat e konfidencialitetit për t’u njohur me tekstin e marrëveshjes. Sipas opozitës, nga 74 deputetët që votuan pro ratifikimit, vetëm 19 kishin pasur akses në dokument.
Mazhoranca ka mbrojtur procedurën e ndjekur dhe ka argumentuar se marrëveshja është thelbësore për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
Gjykata Kushtetuese nuk ka njoftuar ende nëse do ta pranojë kërkesën për shqyrtim.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.
























