Një turist i ri portugez humbi jetën në orët e para të së martës në Ksamil, pas një konflikti në ambientet pranë lokalit “Principotes”, në një ngjarje që ende është nën hetim për dinamikën e përplasjes, autorin e dyshuar dhe personat që mund ta kenë ndihmuar pas krimit.
Sipas dëshmive paraprake të miqve të viktimës, konflikti dyshohet se nisi pas ngacmimit të një vajze brenda lokalit. Përplasja më pas u përshkallëzua dhe përfshiu disa persona.
Në përpjekje për të ndarë personat që po konfliktoheshin, ndërhyri edhe viktima. Sipas dëshmive të miqve të tij, i riu portugez tentoi të ndërhynte për të qetësuar situatën, por gjatë kaosit u godit me thikë.
Policia ka thënë se viktima u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit pranë lokalit, ndërsa këqyrja e trupit tregoi disa plagë në shpinë dhe kraharor dhe se vdekja ishte e menjëhershme.


Disa orë pas ngjarjes, policia arrestoi 29-vjeçarin Sokrat Vata, nga Hasi, i dyshuar se ka goditur me thikë turistin.
Sipas policisë, Vata ishte futur në bagazhin e automjetit që drejtohej nga një grua 31-vjeçare nga Turqia. Në sediljen e pasagjerit ndodhej një tjetër shtetas turk, 38 vjeç. Të tre u shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale.
Pamjet e publikuara nga policia e tregojnë Vatën teksa nxirret nga automjeti. Sipas materialit, ai ishte zbathur dhe kishte veshje të njollosura me gjak.
Dy shtetasit turq që ndodheshin në automjetin ku u gjet i fshehur Vata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit dhe se e njihnin Vatën për shkak të marrëdhënies së krijuar prej tij si truprojë dhe shoqërues personal.
Sipas versionit të tyre, ata e morën Vatën në makinë për shkak të kësaj marrëdhënieje dhe jo për ta ndihmuar të largohej pas vrasjes. Hetuesit po verifikojnë këtë version.
Policia ka ndaluar Moisid Matushajn, 24 vjeç, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Sipas materialit, Matushaj punonte gjithashtu si pjesë e sigurisë së lokalit dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin para vrasjes dhe se ka ndihmuar Vatën të largohej.
Në të njëjtën kohë, policia ka shpallur në kërkim Bekim Bulicën, 36 vjeç, të cilin hetuesit e lidhin me lokalin “Principotes”. Sipas materialit, ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas u largua drejt Tiranës. Hetuesit po verifikojnë rolin e tij në konflikt dhe veprimet e kryera pas vrasjes.
Vrasja ka shkaktuar reagimin e Partisë Demokratike, e cila e ka cilësuar sezonin turistik si një “verë të zezë” dhe ka akuzuar qeverinë dhe Policinë e Shtetit për dështim në garantimin e sigurisë publike. Në deklaratën e saj, opozita e ka lidhur vrasjen me një seri ngjarjesh të rënda gjatë sezonit dhe ka premtuar një “Paketë Anti-Krim” brenda 100 ditëve të para në rast të ardhjes në pushtet.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.






















