Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kërkuar dërgimin në gjyq të tre personave, dy prej tyre të akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe një për “Moskallëzim të krimit”, pas përfundimit të hetimeve në procedimin penal nr. 8513 të vitit 2025.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, prokurori Bledar Valikaj kërkon “dërgimin në gjyq të çështjes nr. 8513 të vitit 2025” ndaj Klaudio Sulejmënit dhe Franko Karemanit për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, të parashikuar nga neni 143/b, paragrafi 2, i Kodit Penal, si dhe ndaj Eriglen Arapit për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Sipas kërkesës së prokurorisë, hetimi zbuloi se Klaudio Sulejmëni kishte rol në organizimin e punës së zyrës dhe, sipas deklarimeve të punonjëseve, ishte personi që u shpjegonte procesin e punës, organizonte oraret dhe merrte në vijim rastet e klientëve së bashku me Franko Karemanin. Dy punonjëse, të marra në pyetje, deklaruan se detyra e tyre ishte të kontaktonin shtetas të huaj që kishin humbur para në investime online dhe më pas rastet t’ua kalonin Sulejmënit dhe Karemanit për vijimin e komunikimit.
Sipas materialit hetimor, ngjarja u zbulua më 10 nëntor 2025, kur specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, ushtruan kontroll në një ambient në rrugën “Zalli”, në zonën e Selitës, ku dyshohej se ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i një “call center”-i. Gjatë kontrollit, në ambient u konstatuan Klaudio Sulejmëni, Franko Karemani, Eneda Zenaj dhe Ester Shkurtaj, të ulur në poste pune të pajisura me kompjuterë dhe telefona celularë.
Nga kontrolli u sekuestruan nëntë njësi kompjuterike, dy laptopë, dy telefona celularë dhe dokumente që lidhen me blerjen e pajisjeve kompjuterike. Procesverbali i këqyrjes e përshkruan ambientin si një zyrë të organizuar me disa poste pune të pajisura me kompjuterë, monitorë dhe telefona.
Në deklarimet e tyre para hetuesve, Ester Shkurtaj dhe Eneda Zenaj thanë se ishin punësuar për të kontaktuar shtetas të huaj që kishin humbur para në investime online. Të dyja deklaruan se, pas marrjes së informacionit fillestar nga klientët, rastet u kaloheshin Klaudio Sulejmënit dhe Franko Karemanit, të cilët vijonin komunikimin. Zenaj deklaroi gjithashtu se Sulejmëni ishte personi që organizonte procesin e punës dhe oraret në zyrë.
Sa i përket Eriglen Arapit, sipas dosjes hetimore, ai deklaroi se kishte dijeni se aktiviteti i “call center”-it ishte i kundërligjshëm, pasi për këtë kishte biseduar më herët me Klaudio Sulejmënin. Për këtë arsye, prokuroria e akuzon për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.
























