Nëse propaganda do ta ulte çmimin e naftës, ne sot do të kishim karburantin më të lirë në botë. Në fakt, e kemi ndër më të shtrenjtit.
Pas 65 ditësh protestë të pandërprerë (një rekord më vete), nuk pritej të plotësoheshin të gjitha kërkesat, por disa prej tyre po. Ligji për investimet strategjike, i shtyrë shtatë herë, mund të anulohej (çfarë kishte për të bërë, e bëri), apo të anuloheshin ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, kërkesë edhe e Bashkimit Europian.
Madje, po t’i shikosh me kujdes, kërkesat e protestuesve nuk kanë kosto financiare. Realizimi i tyre kërkon vetëm vullnet politik. Asnjë kërkesë nuk është plotësuar, por a ka ndonjë reflektim përtej fjalëve të mira?
Në rrjetet sociale, ministra e deputetë vijojnë të postojnë pamje me bukuri natyrore, vende ku ende nuk ka mbërritur këmba e investitorëve strategjikë.
Vazhdojnë videot me “ecurinë e punimeve” për rrugë e segmente që duhej të kishin përfunduar prej kohësh, nga Korridori VIII te Bypass-i i Tiranës.
Vazhdojnë të postohen bujtina, ferma e plazhe, për të krijuar idenë se këtu jeta ecën “vaj”. A thua se halli i këtij vendi është mungesa e postimeve?
Nga pësimet nxirren mësime, por nuk duket të jetë ky rasti me protestën maratonë.
Mësimi i parë që nuk u nxor është se njerëzit sot dalin në shesh kur u cenohen të drejtat. Protesta nisi për Zvërnecin, por tregoi se qytetarët e kanë mësuar rrugën e protestës për çdo problem, pa organizim partiak. Mjafton të shihen protestat në bashkitë që propozohet të shkrihen; nesër, për çdo vendim apo ngjarje të pakëndshme, do të ketë reagim qytetar.
Mësimi i dytë lidhet me ekonominë e përditshme. Një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë është kostoja e jetesës, e cila vjen duke u rritur. Për shembull, çmimi i karburantit rritet e rritet dhe vendos rekord pas rekordi (210 lekë për litër), pa asnjë reagim institucional (me përjashtim të reagimit të deputetit Braçe). Gjetkë, qeveritë ndërhyjnë për të zbutur goditjen. Këtu, asgjë! Çmimet rriten dhe e vetmja përgjigje e dëgjuar është një prononcim i një zëvendësministri që tha: “Po monitorojmë çmimet.”
Mësimi i tretë është se qeverisja nuk mund të zëvendësohet me komunikim. Puna konkrete nuk mund të zëvendësohet me shfaqje virtuale. Asnjë video nuk e ul çmimin e naftës, asnjë postim nuk e zgjidh problemin e ilaçeve dhe asnjë reel nuk e rrit pensionin.
Paradoksi është edhe më i madh kur gëzohen për postimet me pak njerëz në protestë dhe nuk shqetësohen që në vend jetojnë gjithnjë e më pak njerëz.
Dhe ndoshta paradoksi më i madh është përpjekja për ta paraqitur edhe protestën si një sukses. A thua se fakti që qytetarët detyrohen të protestojnë për më shumë se dy muaj është provë se qeveria funksionon si sahat.
Pritej që të kishte një reflektim: të paktën më pak propagandë, më pak dronë, më pak video e më shumë llogaridhënie, më shumë dëgjim dhe më shumë punë të përfunduara.
Siç e kuptoi më në fund edhe vetë qeveria, protesta nuk është problemi, por simptoma. Nëse pas 65 ditësh vijon të merresh me simptomën dhe jo me shkakun, atëherë mësimi është se nuk është nxjerrë asnjë mësim.
Jo më kot thonë: huqi del me shpirtin.























