Rrjeti i trafikimit të emigrantëve, GJKKO jep 155 vite burg për 28 të pandehur

Sipas hetimeve të SPAK, grupi përdorte dokumente të falsifikuara dhe dy agjenci udhëtimi për të dërguar shtetas shqiptarë drejt vendeve perëndimore.

261
Trafikimi i paligjshëm
Credits: shteg.org - Trafikimi i paligjshëm/Ilustrim

Një grup prej 28 personash është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një total prej 155 vitesh burgim, pasi u shpallën fajtorë për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që organizonte trafikimin e emigrantëve shqiptarë drejt vendeve perëndimore.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), grupi operonte gjatë viteve 2022-2024 dhe siguronte udhëtime të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Për këtë aktivitet, anëtarët e grupit merrnin pagesa që varionin nga 3 mijë deri në 10 mijë euro për person.

Vendimi u dha nga trupi gjykues i përbërë nga Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Atalanda Zeqiraj.

Sipas SPAK, organizimi i udhëtimeve kryhej përmes dy agjencive turistike, “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilat dyshohet se bashkëpunonin për transportimin e personave dhe sigurimin e dokumentacionit të falsifikuar.

Hetuesit kanë deklaruar se emigrantët largoheshin fillimisht nga Shqipëria me dokumentet e tyre të rregullta drejt vendeve të zonës Shengen, ndërsa dokumentet false për kalimin drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës u dërgoheshin më pas në vendet ku ata qëndronin, kryesisht në Spanjë.

Sipas dosjes hetimore, dokumentet e falsifikuara prodhoheshin në Tiranë, në një ambient të pajisur me kompjuterë, printerë dhe materiale të tjera të posaçme. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 37 vula të institucioneve private dhe shtetërore, të dyshuara se përdoreshin për falsifikime të ndryshme, përfshirë dokumente për aplikime për viza.

Mes personave të hetuar ishte edhe Ylli Ibrahimaj, i cili, sipas SPAK, vijonte aktivitetin e falsifikimit të dokumenteve edhe pse ndodhej në masën e arrestit në shtëpi. Prokuroria pretendon se ai kishte ngritur një laborator të posaçëm në banesë, ku prodhonte dokumente të falsifikuara së bashku me të birin.

Pagesat për shërbimet e ofruara nga grupi, sipas hetimeve, kryheshin pasi personat arrinin në destinacionet përfundimtare.

Kalimi i paligjshëm i kufirit dhe trafikimi i emigrantëve janë kthyer në një nga format më të përhapura të krimit të organizuar ndërkombëtar, ku rrjete kriminale sigurojnë udhëtime të paligjshme përmes rrugëve tokësore, detare dhe ajrore kundrejt pagesave të konsiderueshme. Sipas institucioneve evropiane të drejtësisë dhe sigurisë, grupet e kontrabandës së emigrantëve shpesh funksionojnë në disa shtete njëkohësisht dhe përfshihen në hallka të ndryshme të aktivitetit kriminal, nga rekrutimi dhe transporti deri te sigurimi i dokumenteve të falsifikuara.

Xhesika TolliaXhesika Tollia

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.