Gjykata e Selanikut miraton ekstradimin e biznesmenit Ilir Shtufi

Shtufi, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për akuza që lidhen me organizatë kriminale dhe pastrim parash, kundërshtoi ekstradimin, duke pretenduar se çështja ndaj tij ka motive politike.

239
Gjykata e Apelit në Selanik
Credits: grtimes.gr - Gjykata e Apelit në Selanik

Gjykata e Apelit në Selanik ka miratuar ekstradimin drejt Shqipërisë të biznesmenit shqiptar Ilir Shtufi, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare në kuadër të një hetimi për organizatë kriminale dhe pastrim parash.

Vendimi i gjykatës greke i hap rrugën dorëzimit të Shtufit te autoritetet shqiptare, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Shqipëria.

Shtufi, 53 vjeç, u arrestua në qershor në një hotel në Selanik nga autoritetet greke, pas informacionit të shkëmbyer përmes kanaleve të bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe një njoftimi të kuq të INTERPOL-it.

Autoritetet shqiptare e kërkojnë biznesmenin nën dyshimet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas hetuesve shqiptarë, çështja lidhet me një hetim më të gjerë mbi trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe lëvizjen e parave që dyshohet se burojnë nga aktivitet kriminal.

Gjatë procesit në Greqi, Shtufi kundërshtoi ekstradimin dhe mohoi akuzat ndaj tij. Ai deklaroi se nuk kishte lidhje me veprat për të cilat kërkohet nga drejtësia shqiptare dhe pretendoi se procedimi ndaj tij kishte motive politike, duke përmendur qëndrimet e tij ndaj opozitës në Shqipëri.

Mbrojtja e tij ngriti gjithashtu shqetësime për sigurinë personale dhe për garancitë e një procesi të paanshëm gjyqësor në Shqipëri.

Gjykata greke, megjithatë, nuk i pranoi argumentet e mbrojtjes dhe vendosi në favor të kërkesës shqiptare për ekstradim.

Shtufi është një figurë e njohur në sektorin e ndërtimit në Tiranë, ku kompanitë e lidhura me të kanë marrë leje për projekte të mëdha ndërtimore. Shteg.org ka raportuar më herët mbi kompanitë e tij dhe rolin e tyre në tregun e ndërtimeve të larta në kryeqytet.

Suada XhametaSuada Xhameta

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.