Të kesh eksperiencën e duhur nuk mjafton gjithmonë për të siguruar një intervistë pune. Në një proces rekrutimi gjithnjë e më konkurrues dhe të automatizuar, disa gabime të vogla në aplikim mund ta eliminojnë një kandidat të mirë përpara se CV-ja e tij të lexohet nga një person.
Nëse po dërgoni vazhdimisht CV dhe nuk po merrni përgjigje, problemi mund të mos jetë eksperienca juaj, por mënyra se si po e prezantoni atë. Ja pesë nga gabimet më të zakonshme.
1. Dërgoni të njëjtën CV kudo
Një CV standarde për dhjetëra vende pune kursen kohë, por mund të ulë ndjeshëm shanset për t’u përzgjedhur. Shumë kompani përdorin sisteme automatike që skanojnë CV-të për aftësi, pozicione dhe fjalë kyçe që përputhen me njoftimin. Prandaj, përpara çdo aplikimi, përshtateni CV-në me pozicionin konkret. Përdorni terminologjinë e njoftimit kur ajo përputhet realisht me eksperiencën tuaj dhe evidentoni pikërisht aftësitë që kërkon punëdhënësi.
2. Ia lini Inteligjencës Artificiale të shkruajë gjithçka
AI mund t’ju ndihmojë të strukturoni apo përmirësoni një letër motivimi, por t’ia delegoni të gjithë procesin mund të jetë gabim. Rekrutuesit kërkojnë të kuptojnë edhe mënyrën se si komunikoni. Një tekst tepër standard, pa personalitet dhe i mbushur me formulime tipike të AI mund të krijojë përshtypjen e kundërt nga ajo që dëshironi. Përdoreni Inteligjencën Artificiale si asistent, jo si zëvendësues të zërit tuaj. Interesi për pozicionin, eksperiencat dhe argumentet duhet të jenë autentike.
3. Ekzagjeroni eksperiencën
Kur një njoftim pune kërkon një listë të gjatë aftësish, tundimi për ta “zbukuruar” CV-në është i madh. Por kompanitë mund të verifikojnë eksperiencën, arsimin dhe certifikimet, ndërsa intervistat dhe testet teknike e bëjnë relativisht të lehtë të kuptohet nëse kandidati i zotëron realisht aftësitë që pretendon. Të pranosh se nuk zotëron ende një aftësi, por se je i gatshëm ta mësosh, mund të jetë shumë më bindëse sesa të pretendosh diçka që nuk e di.
4. Nuk ndiqni procesin e aplikimit
Të telefonosh drejtpërdrejt menaxherin apo të paraqitesh fizikisht në kompani mund të duket si iniciativë, por jo gjithmonë perceptohet kështu. Nëse kompania kërkon aplikim online, ndiqni atë proces. Respektimi i udhëzimeve tregon profesionalizëm, vëmendje ndaj detajeve dhe respekt për kohën e personave që po menaxhojnë rekrutimin.
5. Dërgoni CV-në pa e kontrolluar
Gabimet drejtshkrimore, formatimi i dobët apo paragrafët e gjatë dhe të vështirë për t’u lexuar mund të dëmtojnë edhe një CV me eksperiencë shumë të mirë.
Një gabim i vetëm ndoshta nuk do t’ju kushtojë vendin e punës. Por kur një rekrutues duhet të zgjedhë mes dy kandidatëve me kualifikime të ngjashme, mënyra se si është përgatitur aplikimi mund të bëjë diferencën. Prandaj, përpara se të shtypni “Submit”, lexojeni edhe një herë CV-në dhe letrën e motivimit. Nëse është e mundur, kërkojini edhe një personi tjetër t’i kontrollojë.
Në fund, një aplikim i mirë nuk ka nevojë të jetë perfekt. Duhet të jetë i përshtatur për pozicionin, i qartë, i sinqertë dhe profesional. Në një treg pune ku shumë kandidatë mund të kenë aftësi të ngjashme, pikërisht këto detaje mund t’ju çojnë nga lista e aplikantëve te intervista.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto