Krahas rrjetit të supermarketeve Eco Market, Spar Albania bëri të ditur se ka blerë ndërkohë edhe rrjetin e operatorit tjetër të përpunimit dhe tregtimit të produkteve të mishit, Kombinatit të Mishit Yzberisht (KMY).
Lajmi u bë i ditur për “Monitor” nga vetë kompania, e cila sqaroi se ndërsa kanë blerë Eco Market të gjithin si rrjet, kanë nënshkruar dhe një marrëveshje me Kombinatin e Mishit Yzberisht për blerjen e marketeve me përmasa mbi 300 metra katror. Gjithsej janë blerë 16 markete te ECO dhe 6 markete të KMY..
Kombinatit i Mishit Yzberisht është një nga sipërmarrjet më të hershme në vend. Kompania është krijuar që në vitin 1997 si biznes familjar dhe ka aktivitet në përpunimin e mishit, theretore, fabrikë sallami dhe proshute. Në vitin 2025 “Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 3.5 miliardë lekë, me rënie të lehtë prej 2.4%, që sipas burimeve zyrtare shpresohet të rikuperohet gjatë 2026-s.
Aktiviteti kryesor i shoqërisë ka qenë prodhimi dhe tregtimi i mallrave ushqimore, kryesisht në rrjetet e supermarketeve, por edhe shitje me shumicë për bizneset në të gjithë territorin e vendit. Burime nga Spar thanë se KMY do të vazhdojë me aktivitetin e përpunimit të mishit si më parë dhe do të vijojë të mbajë markën KMY, ndërsa ka shitur rrjetin e pakicës.
Spar Albania është rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në vend, pas Big Market. Duke përfshirë dhe të ardhurat nga “SPAR Franchise”, qarkullimi total vjetor i SPAR arriti në 22.7 miliardë lekë, me rritje 12.4% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare nga kompania (rrjeet direkte të Spar sollën 60% të të ardhurave). Në vitin 2025, Big Market raportoi rreth 29 miliardë lekë të ardhura.
Në mes të vitit 2025, Spar Albania u bë pjesë e shoqërisë nga Kosova “Viva Fresh”, pasi kjo e fundit e bleu nga grupi Balfin.
Në gusht, Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të veprimtarisë ekonomike të rrjetit të marketeve “Eco Market” nga shoqëria Spar Albania SHPK. “D & D Distribution” (ish-Eco Market Food), raportoi të ardhura rreth 2.3 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie prej 9% me bazë vjetore.
Përmes dy blerjeve të fundit, Spar Albania ka përforcuar më tej pozicionin e kompanisë në rrjetin e tregtimit me pakicë, duke arritur një numër total pikash prej 124, përfshirë franshizën sipas burimeve zyrtare dhe duke u ngjitur me shpejtësi drejt operatorit më të madh të tregtisë me pakicë të organizuar në vend.
Viva Fresh Store, aksioneri i ri i Spar Albania është një nga rrjetet më të mëdha të shitjes me pakicë në Kosovë, i themeluar në vitin 2003 në Ferizaj. Sot kompania operon me mbi 110 dyqane në 32 qytete, punëson mbi 5,000 persona dhe ka zgjeruar aktivitetin edhe në Maqedoninë e Veriut.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto