Kryefjala Logo

Skënder Hita me dorë të hekurt. Pezullon nga detyra policët që tërhoqën zvarrë babain në sy të fëmijëve

3 Shtator, 2026 | 6:55 pm

Tre efektivë të Komisariatit të Policisë Kuçovë janë pezulluar nga detyra pas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet shoqërimi me forcë i Dashnor Toskës në fshatin Krekëz.

Në video, Toska shihet teksa tërhiqet nga efektivët në prani të familjarëve, përfshirë edhe fëmijë të mitur. Pamjet shkaktuan reagime të shumta, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi pezullimin e tre punonjësve të përfshirë.

Ndaj tyre ka nisur edhe hetim disiplinor për dyshime mbi përdorimin e paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, si dhe për veprime që cenojnë figurën dhe besueshmërinë e Policisë.

Policia sqaroi ndërkohë se shoqërimi i Toskës nuk lidhej me punime ndërtimore pa leje. Sipas versionit zyrtar, më 20 korrik kunata e tij kishte bërë kallëzim ndaj tij për kanosje, ndërsa mes palëve ekziston edhe një konflikt pronësie.

Më 3 gusht, efektivët shkuan në banesën e Toskës për ta shoqëruar në Komisariat, pasi ai nuk ishte paraqitur vullnetarisht pas njoftimit të Policisë.

Materialet për rastin janë referuar në Prokurorinë e Beratit për veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa paralelisht do të hetohet edhe mënyra se si vepruan efektivët gjatë shoqërimit.

Të ngjashme