Showbiz
Vesa Luma rikthehet në televizion? Këngëtarja zbulon planet
4 Shtator, 2026 | 11:48 am

Pas një periudhe larg ekranit, Vesa Luma po mendon seriozisht rikthimin në televizion. Këngëtarja ka zbuluar se aktualisht ka në tavolinë tre oferta televizive, dy prej të cilave në Kosovë dhe një në Shqipëri.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në Instagram, Vesa u pyet nëse është e vërtetë se do t’i rikthehet televizionit, të cilin e konsideron si profesionin e saj të dytë.
Artistja konfirmoi dëshirën për t’u rikthyer, por tregoi se këtë herë kërkon të jetë shumë e kujdesshme me projektin që do të zgjedhë.
“Kam dy oferta në Kosovë dhe një në Shqipëri. Jam duke i shqyrtuar me kujdes sepse dua të kthehem në TV dhe e kam shumë me qejf profesionin nr. 2, por dua të jem shumë e kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve, sepse me kaq eksperiencë nuk më falet të gaboj”, shkruan Vesa.
Megjithatë, angazhimet televizive nuk janë i vetmi projekt që po i merr kohë. Vesa zbuloi se është gjithashtu në përfundim të një EP-je të re, duke treguar se po përpiqet të ndajë vëmendjen mes muzikës dhe mundësisë për t’u rikthyer në ekran.
“Në anën tjetër jam në përfundim të EP dhe s’e di as vetë ku e kam kokën”, shtoi ajo me humor.

Mbetet për t’u parë se cilën prej tre ofertave do të zgjedhë Vesa Luma dhe nëse rikthimi i saj do të ndodhë në një ekran në Kosovë apo në Shqipëri.









































