Lifestyle
Studimi: Cigaret elektronike me nikotinë mund të ndihmojnë më shumë në lënien e duhanit sesa ngjitëset dhe çamçakëzët
31 Gusht, 2026 | 2:36 pm

Një rishikim i Cochrane, që përfshin 80 studime klinike me rreth 30 mijë duhanpirës, arrin në përfundimin se cigaret elektronike me nikotinë mund të ndihmojnë më shumë njerëz të lënë duhanin krahasuar me metodat tradicionale të zëvendësimit të nikotinës.
Cigaret elektronike me nikotinë mund të ndihmojnë më shumë njerëz të lënë duhanin sesa trajtimet tradicionale të zëvendësimit të nikotinës, si ngjitëset apo çamçakëzët me nikotinë. Ky është përfundimi i një rishikimi të Cochrane, i cili analizon rezultatet e 80 studimeve klinike me afro 30 mijë duhanpirës.
Rishikimi, i cili vlerëson efikasitetin dhe sigurinë e cigareve elektronike si një mjet për lënien e duhanit, gjen evidencë me “siguri të lartë” se cigaret elektronike me nikotinë sjellin norma më të larta të lënies së duhanit sesa terapitë tradicionale të zëvendësimit të nikotinës.
Konkretisht, studiuesit vlerësojnë se për çdo 100 persona që përdorin cigare elektronike me nikotinë për të lënë duhanin, rreth 8 deri në 10 prej tyre arrijnë të mos pinë cigare për të paktën gjashtë muaj. Në krahasim, këtë e arrijnë rreth 6 në çdo 100 persona që përdorin ngjitëse ose çamçakëzë me nikotinë.
Në terma absolutë, kjo përkthehet në rreth katër persona më shumë që lënë duhanin për çdo 100 përdorues, kur përdorin cigare elektronike me nikotinë në vend të këtyre terapive.
Më efektive edhe se cigaret elektronike pa nikotinë
Analiza përfshin 80 studime të kontrolluara me përzgjedhje rastësore, me gjithsej 29,861 pjesëmarrës. Nëntë prej tyre janë përfshirë në përditësimin më të fundit. Pjesa më e madhe e studimeve janë zhvilluar në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të dhënat e analizuara janë të përditësuara deri më 1 janar 2026.
Rezultatet tregojnë gjithashtu se cigaret elektronike me nikotinë ka të ngjarë të jenë më efektive për lënien e duhanit sesa ato pa nikotinë. Në këtë rast, diferenca vlerësohet në rreth dy persona më shumë që lënë duhanin për çdo 100 përdorues.
Sipas studimit, cigaret elektronike me nikotinë mund të ndihmojnë gjithashtu më shumë njerëz të lënë duhanin krahasuar vetëm me mbështetjen për ndryshimin e sjelljes si këshillimi individual apo programet në grup ose me mungesën e çdo lloj ndihme. Megjithatë, studiuesit theksojnë se evidenca për këto krahasime është më pak përfundimtare.
“Lënia e duhanit është e vështirë dhe shumë njerëz që pinëduhan mund të kenë provuar disa herë pa sukses. Prandaj është e rëndësishme që të ketë alternativa të ndryshme në dispozicionpër të ndihmuar dikë të lërë duhanin, gjë që mund t’i inkurajojë njerëzit të vazhdojnë përpjekjet”, shpjegon Nicola Lindson, autorja kryesore e rishikimit dhe studiuese në Universitetin e Oksfordit.
Ende mungojnë të dhënat për efektet afatgjata
Sa i përket sigurisë, studiuesit nuk gjetën evidencë për efekte serioze të dëmshme në periudhën afatshkurtër të lidhura me përdorimin e cigareve elektronike me nikotinë për lënien e duhanit. Efektet serioze të padëshiruara ishin të rralla dhe, në krahasim me trajtimet e zëvendësimit të nikotinës, normat rezultuan të ngjashme.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se cigaret elektronike janë pa rrezik. Autorët theksojnë se nevojiten studime më të mëdha dhe me kohëzgjatje më të gjatë për të vlerësuar plotësisht sigurinë e tyre dhe për të kuptuar më mirë efektet e mundshme afatgjata.
“Edhe pse ka pak gjasa që cigaret elektronike me nikotinë të jenë plotësisht pa rrezik, ato janë më pak të dëmshme sesa pirjae duhanit dhe ky është krahasimi më i rëndësishëm për njerëzit që vazhdojnë të pinë cigare”, shprehet Lindson.
Rishikimi i referohet në mënyrë specifike cigareve elektronike me nikotinë që janë të ligjshme dhe të rregulluara. Autorët paralajmërojnë se produktet e paligjshme ose ato që përmbajnë substanca të tjera aktive, si THC, mund të paraqesin rreziqe të ndryshme.
Jamie Hartmann-Boyce, bashkautore e rishikimit, e sheh për këtë arsye përdorimin e cigareve elektronike si një alternativë të mundshme kalimtare dhe jo domosdoshmërisht si destinacionin përfundimtar.
“Për dikë që tashmë është i varur nga nikotina përmes cigareve, të ketë një alternativë më të sigurt si cigarja elektronike është diçka që ia vlen të merret në konsideratë, veçanërisht kur mënyrat e tjera për lënien e duhanit nuk kanë funksionuar”, thotë ajo.
Rezultatet e rishikimit sugjerojnë kështu se cigaret elektronike me nikotinë mund të luajnë një rol në mbështetjen e duhanpirësve të rritur që synojnë të lënë cigaret tradicionale. Megjithatë, nevojiten ende të dhëna afatgjata për të kuptuar më plotësisht profilin e tyre të sigurisë.


















































