Showbiz
Mbush sot 60 vjeç! Ikona e muzikës shqiptare që vazhdon të sfidojë kohën
1 Shtator, 2026 | 6:12 pm

Një nga ikonat e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, feston sot një ditëlindje të veçantë. Këngëtarja e dashur për publikun mbush 60 vjeç, një moshë që vështirë se do t’ia jepnit duke parë formën dhe hijeshinë që vazhdon ta karakterizojë.
E lindur më 1 shtator 1966 në Kavajë, Parashqevi Simaku mbetet një nga emrat më të spikatur të muzikës së lehtë shqiptare, veçanërisht të viteve ’80. Me zërin, elegancën dhe bukurinë e saj, ajo u kthye në një prej artisteve më të dashura të asaj kohe.

Vitet duket se kanë kaluar lehtë për Parashqevinë. Edhe në daljet e saj të viteve të fundit, këngëtarja ka ruajtur tiparet karakteristike, buzëqeshjen dhe elegancën që publiku mban mend nga koha kur ajo shkëlqente në skenat shqiptare.
Karriera e saj është e lidhur fort me Festivalin e Këngës, ku triumfoi dy herë: në vitin 1985 me “Në moshën e rinisë” dhe në vitin 1988 me “E duam lumturinë”. Këngët e saj vazhdojnë edhe sot të sjellin nostalgji për një nga periudhat më të njohura të muzikës shqiptare.

Pas largimit nga Shqipëria në fillim të viteve ’90, Simaku ndërtoi jetën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe për një periudhë të gjatë qëndroi larg vëmendjes së publikut.
Sot, në ditën kur mbush 60 vjeç, Parashqevi Simaku dëshmon se koha mund të kalojë, por disa prej ikonave ruajnë të njëjtën hijeshi që i bëri të paharrueshme.
Edhe 100, Parashqevi!











































