Kryefjala Logo

Ngjarje e rëndë në një poligon qitjeje në Mal të Zi, tre persona humbin jetën

1 Shtator, 2026 | 8:51 am

Tre persona janë vrarë me armë zjarri në një poligon qitjeje në Danilovgrad të Malit të Zi. Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e një 30-vjeçari rus, i cili dyshohet si autor i vrasjes së trefishtë.

Viktimat janë identifikuar si Petar Globareviç, 24 vjeç, dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, të dy nga Podgorica, si dhe Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danilovgradi.

Sipas mediave malazeze, autoritetet po verifikojnë nëse i dyshuari është larguar nga vendngjarja me një automjet tip “Seat Cordoba”, që rezulton në pronësi të babait të njërit prej viktimave.

Në operacionin e kërkimit janë angazhuar Njësia Speciale dhe struktura të tjera të Policisë së Malit të Zi. Në disa zona janë ngritur pika kontrolli, ndërsa automjetet që lëvizin nga Danilovgradi drejt Podgoricës po ndalohen dhe kontrollohen.

Policia u ka kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos tentojnë t’i afrohen të dyshuarit, pasi ai konsiderohet i armatosur. Çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij duhet të raportohet në numrin 122.

Ndërkohë, kërkimet vijojnë dhe autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonave ku po zhvillohet operacioni të qëndrojnë në banesat e tyre.

Të ngjashme