Lajme
Tragjedi gjatë rrugës drejt Tiranës/ Humb jetën 37-vjeçarja shtatzënë në muajin e shtatë
31 Gusht, 2026 | 11:47 am

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë transportimit drejt Tiranës të një 37-vjeçareje shtatzënë nga Pogradeci, e cila ka humbur jetën gjatë rrugës për në kryeqytet.
Sipas informacioneve paraprake, gruaja, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit pasi kishte shfaqur komplikacione shëndetësore.
Për shkak të gjendjes së saj, mjekët kanë vendosur transferimin drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Por gjatë transportimit me ambulancë, në afërsi të Elbasanit, gjendja e 37-vjeçares është rënduar dhe ajo ka ndërruar jetë.
Paraprakisht dyshohet se gruaja mund të ketë pësuar hemorragji të brendshme, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes nuk është përcaktuar ende.
Trupi pritet të dërgohet në morgun e Tiranës, ku ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Priten gjithashtu informacione të mëtejshme për ecurinë e shtatzënisë dhe rrethanat që çuan në përkeqësimin e menjëhershëm të gjendjes së 37-vjeçares.


















































